
Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në Konferencën Vjetore të IAIS, Organizata Botërore e Mbikëqyrësve të Sigurimeve, e cila këtë vit zhvillohet për herë të parë në rajonin e Ballkanit dhe përbën ngjarjen më të madhe të sektorit të mbikëqyrjes së sigurimeve në nivel global.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri theksoi se ndryshimet klimatike, kërcënimet kibernetike dhe transformimet globale po krijojnë sfida të reja për ekonomitë në mbarë botën. Rama u shpreh se pasojat e mosveprimit tashmë po ndihen qartë dhe se industria e sigurimeve po përballet me një situatë gjithnjë e më komplekse.
Sipas tij, rreziqet moderne janë të ndërlidhura, dhe këto lidhje që zakonisht nxisin rritjen ekonomike mund të kthehen në dobësi serioze, veçanërisht për ekonomitë e vogla si Shqipëria. “Na mungon forca financiare dhe kapaciteti i sektorit të sigurimeve për të përballuar rreziqe të tilla,” u shpreh ai, duke shtuar se shumë familje dhe biznese të vogla vazhdojnë të mbeten pa mbulim sigurimesh, pavarësisht përmirësimeve në treg.
Rama theksoi se rruga për të ecur përpara është e qartë: zgjerimi i përfshirjes në sigurime dhe ndërtimi i një modeli më gjithëpërfshirës. “Kur ky proces bëhet me sukses, sigurimi kthehet në një mekanizëm proaktiv mbrojtjeje. Duke bashkuar burimet, ne ndërtojmë përgjigje më të forta ndaj sfidave,” tha ai.
Kryeministri vuri gjithashtu në dukje se legjislacioni i Bashkimit Europian për shërbimet financiare po funksionon plotësisht në Shqipëri dhe se progresi është i dukshëm, gjë që sipas tij reflektohet edhe në raportin e fundit të Komisionit Europian.
and then