
Gazetari Almer Toska, i ftuar në studion e News24, komentoi protestën e thirrur sot nga Partia Demokratike para Kryeministrisë, duke theksuar se sfida më e madhe e PD nuk është organizimi i protestës, por mungesa e besimit tek demokratët dhe qytetarët.
“PD ka një problem me besueshmërinë e demokratëve dhe shqiptarëve. Berisha u premtoi një revolucion dhe njerëzit dolën në protestë. Kam parë qytetarë të uritur, njerëz të paangazhuar që dolën atë ditë,” u shpreh Toska, duke kujtuar protestat e kaluara.
Sipas tij, demokratët kanë një histori “të trishtë” me protestat e PD dhe sot shumë prej tyre hezitojnë të dalin, pikërisht sepse nuk besojnë më në një ndryshim të premtuar.
“Demokratët kanë thënë edhe në mbledhje: ‘Nuk na vijnë njerëzit’. Këtu çalon PD, nuk ngjall shpresë,” tha gazetari, duke theksuar se kjo mungesë mobilizimi vjen nga zhgënjimet e përsëritura.
Toska komentoi edhe figurën e Sali Berishës, duke e përshkruar si një lider që perceptohet i pakorruptueshëm, por kontrasti i madh, sipas tij, qëndron tek rrethi i tij.
“Figura e Berishës shihet si dikush që nuk bën korrupsion dhe nuk shitet, ndërsa njerëz të tij kanë makina nga 100 mijë euro, përfitojnë tendera dhe nuk u mungon asgjë. Ndërkohë demokratët janë në vështirësi,” tha ai.
Sipas Toskës, shumë mbështetës të PD-së ndihen të pabesuar dhe të zhgënjyer: “Shumë prej tyre mund të kenë ulur kokën për një vend pune në shtet, por nuk janë të lumtur.”
Protesta e PD-së pritet të mbahet sot në orën 18:00 para Kryeministrisë, mes sfidash të mëdha për të rikthyer besimin e elektoratit opozitar.
and then