Statistikat flasin për Tetovën, Egnatia nuk i diskuton fitoret ndaj klubit të Superiores

Në Rrogozhinë, futbolli shpesh merr trajtën e një prove karakteri. Egnatia, e mësuar tashmë me përgjegjësinë që i sjell fanella e kampionit, gjendet sërish përballë një momenti ku duhet të reagojë. Barazimi ndaj një rivali direkt dhe humbja që pasoi kanë hapur një debat të ri rreth ritmit dhe konsistencës së skuadrës, duke rikthyer atë nevojën e domosdoshme për të dërguar një sinjal force.

Dhe për ta bërë këtë, në kalendar vjen Bylisi, një kundërshtar që, në mënyrë paradoksale, duket dhuratë dhe sfidë njëkohësisht. Kjo ndeshje nuk është thjesht një tjetër kapitull i kampionatit. Për shumëkënd, ajo është një pikë kthese. Jo vetëm për pikët, por për ritmin, besimin dhe vazhdimësinë që kërkohet në një garë të gjatë ku çdo hap i gabuar mund të kushtojë. Egnatia është në pikën kur duhet të ridëshmojë veten: të tregojë se dy ndeshjet e fundit nuk janë tregues rënieje, por thjesht një episod që në një kampionat të gjatë mund t’i ndodhë kujtdo.

Në letër, Bylisi është skuadra që nuk sjell surpriza të pakëndshme për Egnatian. Rivaliteti mes dy klubeve ka qenë i njëanshëm në sezonet e fundit, por ajo që e bën këtë përballje edhe më të veçantë është konteksti aktual. Në Rrogozhinë ndihen se kanë nevojë për një ndeshje të tillë: një kundërshtar që e njohin mirë, që nuk i ka komplikuar shpesh punët dhe që mund t’u shërbejë si moment ngjitjeje, si pika nga ku nis rikuperimi.

EFEKTI TETOVA – Një element thelbësor i këtij vetëbesimi ndaj Bylisit është edhe trajneri Edlir Tetova. Që në ditën e parë kur mori drejtimin e Egnatias, ai ka arritur të krijojë një identitet të qartë dhe të njohur në kampionat. Mbi të gjitha ka ditur si të marrë më të mirën e mundshme ndaj mallakastriotëve me skuadrën e tij. Më konkretisht, në dhjetë raste që Tetova ka pasur përballë Bylisin ia ka dalë t’i mundë tetë herë dhe dy prej tyre janë mbyllur në barazim.

Mund të thuhet se durrsaku në njëfarë mënyre e njeh mirë këtë kundërshtar. Në anën tjetër të fushës qëndron Mirel Josa, një trajner me shumë përvojë. Por, kur bëhet fjalë për përballjet direkte me Tetovën, duket sikur balanca anon gjithmonë në të njëjtin drejtim. Sërish është trajneri i Egnatias në avantazh ndaj atij të Bylisit. Në gjashtë ndeshje mes tyre në pankinë, janë katër fitore të Tetovës dhe dy barazime. Kjo e bën sfidën edhe më intriguese, sepse përballja e pankinave shpesh ka rezultuar vendimtare në duelet mes ekipeve në fushë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×