
Përfaqësues të shoqërisë civile, të institucioneve publike dhe gazetarë ngritën shqetësime për problemet që shoqërojnë mediat në Shqipëri, ku censura dhe autocensura e gazetarëve janë bërë të zakonshme.
Në një tryezë të organizuar nga Qendra Shqiptare për Zhvillim të Shoqërisë Civile dhe Faktoje, u mor ne analizë Progres-raporti i Komisionit Europian për vitin 2025, që sipas të pranishmëve ka shënuar regres,edhe pse në dokument shënohet përparim i kufizuar.
Koloreto Cukali nga Këshilli Shqiptar i Medias, i bëri thirrje BE-së që të caktojë vijat e kuqe që nuk duhet të kalohen në raport me median.
Ai solli edhe rastin e mospublikimit të lajmit nga shumica e mediave për marrjen në hetim nga spak të numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku, duke e konsideruar situatën shumë të rëndë.
Një pjesë e diskutantëve sollën në vemendje ndërhyrjen brutale të shtetit ndaj News 24 dhe mediave të tjerë të Fokus Media Grup, si një shembull që ilustron më së miri sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballen gazetarët në Shqipëri
Ndërkaq ambasadori i Holandës Reinout Vos, i pranishëm në takim tha se nëse media nuk është e lirë, demokracia nuk funksionon.
“Pavarësisht arritjeve qe nenvizon raporti ka çështje që duhen adresuar dhe mbeten sfiduese.
Në të gjitha vendet e botës, përfshirë edhe Shqipërinë, gazetarët duhet të mbrohen, fizikisht, ligjërisht dhe publikisht.
Këto parime janë thelbësore për standardet evropiane. Liderishipi, politikbërësit dhe autoritetet rregulluese duhet të mos bëjnë presion mbi median. Nga ana tjetër, shoqatat e mediave duhet të punojnë për të përmirësuar profesionalizmin dhe standardet e lajmeve, për të forcuar besimin e publikut.
Ne jemi gati t’ju mbështesim me qëllim që progesi të jetë real”, tha ambasadori holandez Reinout Vos.
Gjatë tryezës u theksua nevoja për masa konkrete, përfshirë forcimin e mekanizmave të llogaridhënies, garantimin e sigurisë fizike, transparencën në financimin e medias dhe rritjen e profesionalizmit brenda redaksive.
Sipas pjesëmarrësve raporti i BE-së duhet të shërbejë si udhërrëfyes për reforma të prekshme dhe përforcim të llogaridhënies, në mënyrë që liria e shprehjes të mos jetë vetëm një dispozitë ligjore, por një realitet i mbrojtur në praktikë. Për këtë u kërkua që në paketën ligjore që po hartohet në bashkëpunim me aktorë mediatikë të adresohen të gjitha shqetësimet që kanë ngritur ekspertët.
and then