Për pak planet e togës së ndëshkuesve u prishën nga…! I gjithë aksioni i atentatit në Rinas ndodhi në vetëm 3 minuta! ‘Toyota’ qëndronte pak sekonda larg shënjestrës, por autorët….

Emisioni “Në Shenjëstër”, në bazë të të dhënave nga dosja hetimore, ka rindërtuar skemën e atentatit të ndodhur në Rinas, ku humbi jetën Gilmando Dani dhe shoqëruesit i tij Muçi Shaljani.

Nga prirtja e autorëve me makinën e tyre tip “Toyota” vetëm pak sekonda larg viktimës, te informatorët dhe “tradhëtia” që iu bë Gilmando Danit, i cili më parë kishte mundur t’u shpëtonte dy atentateve, gjithçka sqarohet në investigimin e emisionin.

Pjesë nga dokumentari:

Në atentatin i gjithë përpilimi i aktit final, atij të ekzekutimit të Gilmando Danit, ndodh në harkun kohor të tri minutave, nga dalja e makinës me të cilën ai udhëton nga parkingu i jashtëm i aeroportit deri në rrethin e parë jashtë terminalit, ku po e presin qitësit.

“Pasi makina ku udhëtonin Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, ka dalë nga parkingu i jashtëm i aeroportit ku ishte parkuar për disa ditë, në orën 14.15 min automjeti ka vazhduar lëvizjen në drejtim të rrethrrotullimit të Rinasit”, thuhet në dosjen hetimore.

Është pikërisht këtu, që siç shikohet edhe nga pamjet e siguruara nga emisioni ‘Në Shënjestër’, momenti kur automjeti ‘Mercedes Benz’ i bardhë me të cilën lëviz Gilmando Dani, në vendin e pasagjerit dhe Muçi Shaljani në drejtimin e mjetit, bien e pre e bataresë së pambarimtë të plumbave na tre persona të maskuar të cilët dalin nga një automjet ‘Toyota’ dhe qëllojnë me kallashnikovë në drejtim të makinës së shënjestrës së tyre.

Një makinë e cila sikurse shikohet fillimisht qëndron e palëvizur për rreth 18 sek në krah të rrethit, në pamje përballë me atë të fasadës së aeroportit.
Aty ku në këtë moment ka filluar të lëvizë drejt rrethit makina me të cilën udhëton Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.
Makina e autorëve që siç shikohet më pas lëviz me shpejtësi në krahun tjetër të rrethit, pa e marrë atë të plotë. Duke u pozicionuar tashmë në gjurmën e trajektores që do marrë makina e viktimave të tyre.
Gjë që kuptohet edhe nga lëvizja e tyre e shpejtë, që tregon se tashmë makina ku ndodhej objektivi ishte vetëm një frymëmarrje larg, makinë e cila referuar edhe kronometrit, është vetëm 22 sekonda pas shpinës së tyre.

Tre qitësit sapo shikojnë që automjeti ‘Mercedes Benz’ i bardhë afrohet në rrezen e pasqyrës së automjetit të tyre, dalin nga dyert e pasme dhe të parme dhe nisin të qëllojnë pa pushim mbi makinën e shënjestrës, me të cilën udhëton Dani dhe Shaljani, që në këtë moment kryen një lëvizje të sforcuar për t’ju shmangur plumbave të shumtë që tashmë kishin depërtuar në brendësi jo vetëm të makinës por edhe të mishit të tyre.
Atentatorët fillimisht gjuajnë pa lëvizur nga vendi. Plumbat derdhen furishëm në krahun e pasagjerit, ku ndodhet Gilmando Dani, që është edhe shënjestra e vërtetë e atentatit.
Por që manovra e makinës duket se prish për momentin planet e togës së ndëshkuesve, të cilët shikojnë makinën e gjahut të tyre t’u ikë nga rrezja e veprimit dhe të ndalojë në krahun tjetër të rrethit.

Një manovër të cilën ata nuk e kishin parashikuar, pasi ndërsa tre qitësit kthehen në automjetin e tyre, një thirrje ndoshta e brendshme i vendos dy prej tyre edhe njëherë në aksion.
Ndoshta ende të pabindur se e kanë asgjësuar totalisht objektivin e tyre.
Një nga qitësit i cili ndërsa shkëputet nga grupi kryesor, merr rrugën në këmbë në tentativë për të qëlluar edhe njëherë ndaj makinës në të cilën ndodhen Dani dhe Shaljani, por që kthehet në mes të rrugës dhe merr një armë, me siguri një pistoletë, të cilën nga sa shikohet ia sjell një nga qitësit e togës së pushkatimit.

Qitësi i dytë të cilit gjatë shkëmbimit të armëve, nga sa shikohet arma i bie nga dora.
Ndërsa atentatori i parë përfundon misionin, duke u afruar dhe qëlluar në dritaren e pasagjerit të automjetit ‘Mercedes Benz’, ku ndodhet i ulur Gilmando Dani.
Aksion i cili zgjat jo më shumë se 1 minutë e 20 sekonda.

“Në orën 14:15 një automjet ‘Toyota’ me targa greke hyn sërish në rreth dhe ndalon në rreth rrotullim, në anën tjetër të rrugës, nga krahu i terminalit të vjetër.

Pak sekonda më pas, nga ky automjet zbresin tre persona të maskuar dhe të armatosur në dukje me armë të gjata, si ato kallashnikov, të cilët njëkohësisht qëllojnë me armë zjarri në drejtim të automjetit të markës ‘Mercedes Benz’ me ngjyrë të bardhë me targa AB 099 UO (me të cilët lëviznin shtetasit Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani).
Sikurse vihet re më tej një prej tre personave të armatosur lëshon në tokë armën e gjatë (kallashnikov), dhe afrohet pranë mjetit ‘Mercedes Benz’.
Dhe pasi nxjerr nga brezi një armë të shkurtër (pistoletë) qëllon në distancë të afërt në drejtim të derës së parë nga ana e pasagjerit (ku rezulton se ndodhej i ulur viktima Gilmando Dani).

Menjëherë më pas të tre autorët shikohen teksa ngjiten në automjetin e markës ‘Toyota’ me targa të huaja, që drejtohej nga një tjetër person dhe largohen duke lëvizur në të njëjtin drejtim, si në ardhje.
Ku si pasojë e të shtënave ka mbetur i vrarë shtetasi Gilmando Dani (pasagjer) si dhe është dëmtuar rëndë drejtuesi i automjetit shtetasi Muçi Shaljani”, thuhet në dosjen hetimore.

Sipas të dhënave të para, menjëherë pasi kryen atentatin, makina me autorët thuhet se lëvizi drejt Fushë-Krujës, për t’u gjendur e djegur vetën disa minuta më pas në fshatin Halil të Krujës.
Në një zonë të thepisur, ku ishte e vështirë ndërhyrja e policisë dhe e zjarrfikëseve, automjet ku pas shuarjes së flakëve u gjendën tre armë zjarri kallashnikov, të cilat mendohet se u përdorën nga autorët gjatë ekzekutimit të Gilmando Danit dhe mikut të tij Muçi Shaljani.

“Menjëherë pasi realizuan qëllimin kriminal të vrasjes së Gilmando Danit, tre autorët hipën në automjetin e markës ‘Toyota’ me targa greke, që drejtohej nga një tjetër person dhe u larguan duke lëvizur në drejtim të rrugës së vjetër (rruga e hurmave) që lidhet me aksin Fushë Krujë-Vorë.
Në orën 15:01, në vendin e quajtur fshati Halil, është konstatuar duke u djegur një automjet.
Po për shkak të terrenit të thyer, nuk u bë dot e mundur vajtja në vend e mjeteve zjarrfikës dhe shuarja në kohë e flakëve, çka për pasojë solli edhe djegien plotësisht të automjetit.
Gjatë kqyrjes së këtij automjeti të djegur, brenda tij, u gjetën dhe u fiksuan në cilësinë e provës materiale: 3 armë zjarri të djegura, model automatik kallashnikov; një djep luajtës i një arme pistoletë i djegur së bashku me tytën në vendin e saj ku shikohet mbishkrimi Glock 23 Austria 40; 6 copë krehër të djegur dhe të dëmtuar në dukje si ato që përdoren për armët kallashnikov; 1 krëhër pistolete i djegur dhe i dëmtuar, si dhe 2 targa me mbishkrimin XZX1059 të djegura”, thuhet në dosje.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×