
Heshtja e opozitës pas urdhrit të masave të sigurimit ndaj Belinda Ballukut është e çuditshme, por më domethënëse se çdo deklaratë që mund të kishin bërë.
Një ngjarje e madhe, e shumëpritur nga opinioni publik, më në fund solli një reagim të drejtësisë.
Por ndërsa pritej që PD ta shfrytëzonte këtë moment për të artikuluar qëndrimin e saj, ajo u mbyll në vetvete, pa konferencë shtypi e pa asnjë reagim politik nga kryetari apo eksponentë të tjerë.
Kujtesa është e fortë; për arrestimin e Veliajt, për akuzat ndaj Ahmetajt, madje edhe për “dy arkat me peshk” të Rovenës, opozita foli menjëherë, njëzëri, publikisht. Konferenca shtypi, deklarata, përshëndetje të vendimit të drejtësisë, madje edhe pretendime se drejtësia kishte vonuar.
Ndërsa tani, për një nga figurat më të larta të qeverisë, një nga ministret më të përfolura për mënyrën e menaxhimit të projekteve publike, PD zgjedh heshtjen.
A është e pakënaqur me SPAK? A është e kënaqur? A mos vallë po i vjen keq për Ballukun? Apo fshihet diçka tjetër që publiku nuk e di?
Në çdo rast, mungesa e qëndrimit e ekspozon opozitën si të pavendosur dhe të pasigurt.
Ndërkohë, e vetmja lëvizje e paralajmëruar e saj është “Foltorja 2” të hënën para Kryeministrisë. Mbetet për t’u parë nëse do të jetë një protestë serioze dhe dinjitoze, apo do të ndjekë fatin e tubimeve të fundit, që shuhen shpejt pa ndonjë ndikim.
Dhe pyetja më e madhe mbetet: Çfarë duhet të presësh nga një opozitë që thotë “s’i njohim zgjedhjet”, por shkon në parlament; që thotë “nuk ka zgjedhje me Ramën”, por merr pjesë sërish në çdo garë elektorale?
Kjo kontradiktë e vazhdueshme e bën heshtjen e sotme edhe më të pakuptueshme.
Opozita ka plot arsye politike e morale për t’u shprehur, por sot zgjodhi të mos thotë asgjë.
Dhe kjo heshtje flet më fort se çdo deklaratë!
and then