Moti i keq shkakton probleme në Pogradec/ Rreshjet e dendura bllokojnë rrugën drejt fshatit Peshkëpi, disa banesa të përmbytura

Reshjet intensive të mëngjesit të sotëm kanë shkaktuar probleme të shumta në Pogradec, ku lumi i Vërdovës ka dalë nga shtrati duke dëmtuar rëndë infrastrukturën rrugore. Raportohet se uji ka shkatërruar trotuarin, kanalizimet dhe ka dëmtuar rrjetin elektrik, ku një shtyllë energjie paraqet rrezik shembjeje.

Në vendngjarje ndodhen ekipet e emergjencës dhe grupet e OSHEE-së, të cilat po punojnë për stabilizimin e situatës dhe parandalimin e incidenteve të mëtejshme. Ndërkohë, në lagjen nr. 1 të qytetit, për shkak të reshjeve të shumta, uji ka depërtuar në disa oborre banesash. Autoritetet raportojnë se situata po shkon drejt normalizimit dhe se ekipet vendore janë duke asistuar banorët.

Problematika më e rëndë vjen nga fshati Turan, ku prurjet e rritura të lumit të Dunavecit kanë shkaktuar përmbytje në disa banesa. Sipas banorëve, dëmet janë të konsiderueshme: uji ka hyrë në shtëpi duke i bërë ato të pabanueshme, është rrezikuar bagëtia dhe janë përmbytur bazat ushqimore.

Po ashtu, probleme paraqiten edhe në rrugën e fshatit Peshkëpi në Pogradec, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve në të vetmen aks rrugor që lidh fshatin me qytetin.

Autoritetet bëjnë me dije se drejt zonës janë nisur forcat e Emergjencave Civile dhe ekipet e Bashkisë Pogradec, të cilat po punojnë për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e qarkullimit normal sa më shpejt të jetë e mundur.

Banorët janë bërë thirrje të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa rruga të hapet plotësisht.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×