
Kryetari i PD-së, Sali Berisha zhvilloi dje një takim me Dolors Montserrat, Sekretare e Përgjithshme e Partisë Popullore Evropiane (EPP) dhe Patrick Voller, Drejtor për Marrëdhëniet me Jashtë. Diskutimi u fokusua në krizën e thelluar të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe sigurisë publike në Shqipëri, si dhe në nivelet alarmante të infiltrimit kriminal në strukturat shtetërore.
Berisha nënvizoi se Shqipëria sot përfaqëson narko-shtetin e parë dhe të vetëm në Evropë.
Ai theksoi se grupet kriminale dhe të organizuara janë fuqizuar ndjeshëm falë mbrojtjes dhe mbështetjes politike të Kryeministrit Rama, duke krijuar një rrjet aktivitetesh të paligjshme që tashmë depërtojnë në ekonomi, administratë publike dhe procese zgjedhore. Partia Demokratike ka dokumentuar raste të shumta, të mbështetura nga dosje prokurorie, dokumente gjykate, investigime të medias, dhe operacione hetimore ndërkombëtar, përfshirë Sky ECC dhe EncroChat, që konfirmojnë përmasat e ekonomisë së narkotikëve dhe kapjes së shtetit në Shqipëri dhe lidhjen me krimin.
Berisha pohoi se sasi të mëdha të të ardhurave kriminale pastrohen përmes sektorit të ndërtimit, ku një bum ndërtesash shumëkatëshe bie në kontrast të thellë me faktin se shumë prej këtyre kullave mbeten kryesisht bosh. Sekretarja e Përgjithshme Montserrat dhe Berisha diskutuan gjithashtu nevojën urgjente për një vizitë në terren në Shqipëri nga përfaqësues të EPP-së, një vizitë që pritet të zhvillohet së shpejti dhe konsiderohet e domosdoshme për shkak të përkeqësimit të shpejtë të situatës në vend.
Sekretarja e Përgjithshme Montserrat shprehu shqetësimin e saj të thellë për situatën në Shqipëri dhe siguroi mbështetjen e saj të plotë dhe të PPE për Partinë Demokratike dhe objektivin e saj për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, rikthimin e demokracisë dhe forcimin e shtetit ligjor në vend.
Berisha përsëriti angazhimin e Partisë Demokratike për të mbështetur procesin e integrimit në cdo hallkë të tij, rivendosjen e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe zgjedhjeve të lira, si dhe vendosmërinë për të përballur krimin e organizuar dhe për të çmontuar strukturat e shtetit narkotik në Shqipëri. Kryetari Berisha shoqërohej nga deputetët e PD, Albana Vokshi dhe Belind Këlliçi.
and then