Reali i Madridit do të mbyllë sonte kam pionatin përballë Betisit, në një mbrëmje gala, ku përballë do të jenë dy skuadrat që kanë fituar trofetë më të rëndësishëm në Spanjë. Kampionët e rinj të Spanjës përballë fituesve të Kupës së Mbretit, diçka e veçantë kjo.

Por mendja e trajnerit të Realit, Karlo Ançeloti, është diku gjetkë, mijëra kilometra nga Madridi. Italiani i “Los Blancos” bluan në mendje vetëm finalen e 28 majit në Ligën e Kampioneve kundër Liverpulit. Për këtë ka shpërfillur dhe tema të tjera të nxehta si ajo që ka të bëjë me të ardhmen e Kilië Mbapesë.
MBAPE – “Prisja ta nisnit me një tjetër pyetje. Për mua nuk ka asnjë temë Mbape. E vetmja gjë që mendoj tani është finalja e Ligës së Kampioneve”.
FORMACIONI I FINALES – “Nuk kam asnjë mëdyshje se cila do të jetë skuadra që do të zbresë në fushë për finalen e Champions-it. E vetmja pikëpyetje që kam, i vetmi dyshim për mua mbetet nëse janë më të rëndësishëm ata që do ta nisin takimin nga minuta e parë, apo ata që do ta mbyllin në fund”.
MES CHAMPIONS-IT DHE MBAPESË – “Në Madrid nuk mendojnë për Mbapenë tani. Në Madrid janë të fiksuar të gjithë pas Ligës së Kampioneve. Unë dhe të gjithë në skuadër kemi vetëm një gjë në mendje, të sjellim në Madrid Champions-in numër 14”.
NGACMIMET – Natyrisht që gazetarët e pranishëm kanë vijuar të ngacmojnë trajnerin Ançeloti në lidhje me Kilië Mbapenë. Madje, njëri prej gazetarëve e ka pyetur italianin nëse e ndalojnë rrugëve të Madridit për ta pyetur për francezin. Përgjigjja e tij ka qenë vërtet pikante. “Unë nuk rri rrugëve, ndaj nuk ka se si të më pyesin për Mbapenë apo ndonjë lojtar tjetër. Gjatë ditës kohën time e kaloj në qendrën stërvitore të klubit, ndërsa në mbrëmje pranë familjes. Me raste dal të shijoj restorantet e Madridit, por askush nuk më pyet për lojtarë apo kësi lloj temash. Të gjithë më ngacmojnë për finalen, janë shumë të dhënë pas Ligës së Kampioneve”.
PËRBALLJA ME BETISIN – “Nuk e kam menduar se çfarë do të ndodhë në mbrëmje. Është vërtet një rast i pazakontë kur në ndeshjen e fundit të kampionatit përballen kampionia me fituesen e Kupës. Për mua ka rëndësi që të zhvillojmë një ndeshje argëtuese për tifozët. Personalisht do të isha i gatshëm të nderoja Betisin, pasi kanë fituar një trofe shumë të rëndësishëm në Spanjë si Kupa e Mbretit”.
LA LIGA – “Mund të them se ka qenë një sezon i shkëlqyer për ne, jo vetëm sepse e fituam kampionatin. Që nga nisja e sezonit gjithçka na ka shkuar mbarë. Kemi mbajtur hapin dhe vazhdimësia jonë në lojë dhe në rezultate ka qenë çelësi i suksesit. Por tani na mbetet edhe një tjetër finale e madhe për të mbyllur sezonin dhe më pas të gëzojmë disa pushime”, ka thënë tekniku italian.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – Arena e Lajmit
Loading…
and then