
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, u shpreh se PD ka votuar kundër buxhetit, duke akuzuar qeverinë dhe strukturat e rendit për bashkëpunim me krimin e organizuar.
Balliu deklaroi se, sipas opozitës, “nuk mund t’i jepet në dorë buxheti atyre që janë përgjegjës për pasigurinë në vend”. Ai kujtoi se PD ka denoncuar vazhdimisht atë që e cilëson si bashkëpunim të thellë mes krimit të organizuar dhe qeverisë.
Sipas tij, “e vetmja gjë që është rritur nga ana e sigurisë është bashkëpunimi i krimit të organizuar me qeverinë aktuale”, ndërsa theksoi se kjo është arsyeja kryesore pse Partia Demokratike e ka kundërshtuar buxhetin.
Duke iu referuar ngjarjeve kriminale të fundit, Balliu u shpreh se “nuk kalon dot një javë në Shqipëri pa patur atentate mafioze”, duke akuzuar qeverinë se ka lejuar krijimin e një “fushe të lirë” për veprimtarinë e grupeve kriminale. Ai argumentoi se kjo situatë ndodh “sepse bandat kanë bashkëpunim me qeverinë aktuale dhe segmentet e sigurisë që duhet të mbronin qytetarët”.
Në përfundim të deklaratës, Balliu nënvizoi se buxheti i propozuar “nuk sjell asgjë për të parandaluar krimin”, duke pretenduar se “për qeverinë krimi është bashkëpunëtor e aleat, ndërsa qytetarët kthehen çdo ditë në viktima”.
and then