
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, priti sot në Tiranë Ministren Federale për Europën dhe Punët e Jashtme të Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, në vizitën e saj të parë zyrtare në Shqipëri. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Spiropali vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe rolin historik të Austrisë në mbështetje të shtetit shqiptar.
Duke kujtuar marrëdhëniet e hershme mes dy vendeve, Spiropali tha se Austria ka qenë “një nga miqtë më të besuar të Shqipërisë” dhe se vizita e sotme vjen në një moment vendimtar për integrimin europian. Ministrja tha se Shqipëria synon mbylljen e negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027 dhe anëtarësimin e plotë brenda kësaj dekade. Sipas saj, mbështetja e Austrisë ka qenë thelbësore në reformat kryesore dhe do të vijojë të jetë e tillë në procesin e integrimit.
Spiropali theksoi se raporti i Komisionit Europian evidenton një përparim të paprecedent, duke kujtuar se “hapja e të gjithë grup-kapitujve për 14 muaj është risi në historinë e BE-së”. Ajo nënvizoi se Shqipëria mbetet e angazhuar për të kthyer rekomandimet në programe konkrete pune. Ministrja vuri në dukje rolin e rëndësishëm të investimeve austriake në sektorë si energjia, bankat, ndërtimi, turizmi dhe teknologjia, duke i cilësuar ato si motorë të zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare.
Ajo theksoi se forcimi i pranisë së sipërmarrjeve austriake në Shqipëri mbetet prioritet absolut. Spiropali dhe Meinl-Reisinger ranë dakord të vijojnë dialogun strategjik dhe të hapin kapituj të rinj bashkëpunimi në politikë, ekonomi dhe siguri. Ministrja shqiptare theksoi se të dy vendet ndajnë të njëjtat vlera për stabilitetin, barazinë dhe të drejtat e njeriut.
Në fund, Spiropali u shpreh mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur të Austrisë, duke kujtuar fjalët e albanologut Maximilian Lambertz: “Historia e Europës nuk do të jetë e plotë pa kapitullin e Shqipërisë.”. Ajo konfirmoi se së shpejti do të marrë pjesë në Vjenë në takimin e “Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor”, të organizuar nga homologja austriake.
and then