
Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në studion e News24, ka treguar për herë të parë detaje nga ndalimi i tij në pikën kufitare me Greqinë dhe shpalljen non-grata, dy ditë më parë. Sipas tij, autoritetet greke nuk i dhanë asnjë arsye zyrtare për vendimin dhe e trajtuan me procedura që, siç tha, aplikohen zakonisht ndaj personave me probleme penale.
Hoxha u shpreh se gjithçka nisi pa paralajmërim: “Kur po kaloja kufirin, më ndaluan në vijën e parë. Pasi kontrolluan pasaportën time në sistem, më thanë se kishte një problem. Më folën shqip, ndërsa unë iu drejtova greqisht në fillim. Nuk ma kthyen pasaportën dhe më dërguan në vijën e dytë, në zonën ku ndodhet stacioni policor.”
“Oficeri më kërkoi të lija gjurmët e gishtave dhe retinën e syrit. I thashë që nuk jam kriminel dhe nuk kam asnjë çështje penale në Greqi që të më merren gjurmët. Ai më tha se ishte procedurë e detyrueshme nëse doja të merrja pasaportën time,” shpjegoi Hoxha.
Pas procedurave, nisi marrja në pyetje. Gazetari tregon se u habit kur oficeri grek e pyeti lidhur me qëndrimet e tij ndaj Greqisë. “Më tha pse ke patur këtë qëndrim ndaj Greqisë. U shtanga. I thashë se nuk di të kem fobi ndaj Greqisë. Madje kam qenë aktiv gjatë fushatës së vitit të kaluar për zgjedhjet e Parlamentit Europian,” rrëfeu ai.
Hoxha theksoi se bindja e tij është se shpallja non-grata lidhet me qëndrimet e tij për çështjen e Fredi Belerit. “Kur Beleri u bë pjesë e politikës së brendshme greke dhe shpalli kandidaturën, mediat opozitare greke kishin materialet e tyre ndaj tij, madje më furnizuan edhe mua. Mesa duket ky ekspozim i së kaluarës së tij krijoi probleme, duke treguar edhe rolin e drejtësisë greke që ka ndihmuar kriminelë t’i shpëtojnë ekstradimit në Shqipëri,” tha Hoxha.
and then