
Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me marrjen të pandehur dhe pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, e cila mbante postin e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Hoxha e cilësoi këtë ngjarje si një moment kyç për të testuar funksionimin real të institucioneve të reformës në drejtësi.
“Ngjarja e Ballukut është shumë e rëndësishme dhe serioze. Besoj se jemi në një situatë ku na shërben si vijë demarkacioni për të parë nëse institucionet e reformës në drejtësi funksionojnë,” u shpreh gazetari.
Hoxha vuri në dukje se këtë herë kryeministri ka vepruar ndryshe nga rastet e mëparshme, kur zyrtarët e lartë zëvendësoheshin nga funksionet para se të përballeshin me SPAK. “Ndryshe nga rastet e tjera, ku i largonte nga pozitat shtetërore dhe politike duke i paraqitur para SPAK të zhveshur nga funksionet, këtë herë ka vepruar ndryshe,” theksoi ai.
Gazetari solli në vëmendje shembullin e Arben Ahmetajt dhe denoncimet që ai ka bërë për projektet e mëdha infrastrukturore. “Nëse e lë drejtësinë si në rastin e Ahmetajt, për shembull, ai denoncoi tunelin e Llogarasë. Nuk mund të bëjmë sikur nuk e shohim, sot kemi një tunel dhe dy ura që nuk janë! Ku po shkojmë?” deklaroi Hoxha.
Ai shtoi se problematikat nuk kufizohen vetëm te projektet rrugore. Hoxha përmendi edhe çështjen e termocentraleve në Vlorë, të njohura ndryshe si “tigrat”. “Pa përmendur termocentralet e njohur si tigrat, deri tani janë 68 milionë euro dhe paguajmë 90 mijë euro në ditë vetëm qira,” tha ai, duke nënvizuar se këto projekte përfaqësojnë një barrë të madhe financiare dhe një sfidë për transparencën publike.
and then