Konferenca “Media si katalizator për barazinë gjinore”/ Dhurata Çupi: News24 u tentua të mbyllet, sulme të vazhdueshme si asnjë rast tjetër! Gonzato: BE nxit fjalën e lirë!

Në Tiranë u mbajt konferenca kombëtare për gratë në media dhe barazia gjinore ku u theksua forcimi i përfaqësimit të grave në media.

Në konferencën kombëtare ‘Media si katalizator për barazinë gjinore’ Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato u shpreh se përfaqësimi aktual i grave në media nuk është i mjaftueshëm ndaj për të forcuar rolin e grave në media sipas tij kërkohet jo vetëm vullnet, por edhe angazhim i strukturave mediatike.

“Të reflektohet diversiteti dhe përfaqësimi i grave në media. Ajo që është bere deri më tani nuk është e mjaftueshme për përfaqësimin e grave në media por edhe ndaj dhunës online. Duhet të ndihmojnë në një media të lirë. Evropa qëndron përkrahë Shqipërisë për të patur një fjalë të lirë, për të mbështetur gratë në media dhe të rritet dhe forcohet përfaqësia e tyre në media”, u shpreh Gonzato.

Në analizën e të dhënave të kryera nga autoriteti i mediave audiovizive paraqitet një prani e fortë e grave në profesionin e gazetarisë, ndërsa strukturat e gjera dhe pozicionet e tjera të sektorit vijojnë të dominohen nga burrat.

“Në vitin 2022 tabloja e përgjithshme tregonte se ishin burrat që vijonin të mbanin një përqindje më të lartë veçanërisht në televizion ku 39% e punonjësve të tyre ishin gra kundrejt 61% që ishin burra. Kur analizohet në mënyrë më të veçantë grupi i gazetarëve në televizione shifrat ndryshojnë ndjeshëm duke nxjerrë në pah një ekuilibër me 51% gra dhe 49% burra. Kjo tregon se në nivelet e gazetarisë aktive, gratë janë më të pranishme ndërsa në strukturat më të gjera të TV janë burrat që dominojnë tregun”, tha kryetarja e AMA, Armela Krasniqi.

Për të mbrojtur gazetarët në Shqipëri deputetja demokrate Jorida Tabaku ka depozituar në kuvend ndryshime ligjore që e dënojnë kanosjen apo dhunimin e punonjësve të medias.

“Kam depozituar disa ndryshime në Kodin penal që lidhen me kërcënimin ndaj gazetarëve. Ne jemi duke punuar edhe shpifjen dhe paketa ka në bazë mbrojtjen e gazetarëve, mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe mbrojtjen e një standardi që sot ekziston në ambientin mediatik”, u shpreh ajo.

Pjesë e konferencës ishin edhe përfaqësuesit e mediave kryesore në vend. Dhurata Çupi, CEO e Focus Media Group tha se në grupin mediatik numri i grave në rolet drejtuese është i konsiderueshëm.

“Sa i takon medias që unë drejtoj kemi organikën, domethënë stafin teknik, operator, transport ku janë kryesisht zotërinj më pas jemi rreth 55% role drejtuese, drejtor përgjegjës, drejtor informacioni, drejtoreshë programacioni e drejtueset në prime i kemi zonja. Rrjetet sociale dhe BW, 54% janë zonja, gra dhe vajza. Në pozicionin më të rëndësishme dhe impakt mediatik si moderator dhe autore programesh televizive dhe lajmesh 77% janë zonja, gra, pra 13 gra dhe 4 burra. Në pozicioni e gazetarit të kronikës e kam edhe krenari ta them që janë dhe pozicione më të vështira janë dy zonja është Klodiana Lala përfaqësuesja që sfidon çdo zotëri të kronikës në mediat e tjera. Megjithatë kjo është një nga sfidat e mia të mbetemi të angazhuar përpos barazisë gjinore ne të angazhohemi fort për të rritur profesionalisht gazetarë, lajmin por dhe guximin e të dhënit lajm”, tha ajo.

Znj. Çupi risolli në vëmendje sulmin dhe presionet ndaj televizionit News24 duke shprehur vendosmërinë e të gjithë stafit për të vazhduar punën të pavarur dhe të pandikuar.

“Media jonë ka qenë në një presion të vazhdueshëm madje është unike të them në Shqipëri nuk ka një shembull të dytë të një sulmi të vazhdueshëm ndaj FOCUS MEDIA GROUP u tentua të mbyllet u tentua të hiqen sinjalet vazhdon ende që nga data 9 gusht të mos merren materialet e gazetareve. Por kjo nuk na dëshpëron për të pasur guximin për të qenë televizioni i parë informativ por dhe guximin për të thënë të vërtetën. Jemi televizion i njohur me krenari them i vetmi ndoshta pa dashur të cenoj askënd që jemi të pavarur në politikën editoriale të lajmit të ditës por edhe të politikës editorial të përgjithshme”, tha Çupi.

Bleriana Broja, Drejtore Ekzekutive, SCiDEV Center 3: “E kemi ndjekur rastin e News24 dhe kemi shprehur shqetësimet tona për çështjet e mungesës të procesit të rregullt ligjorë të llogaridhënies trasparencës dhe rrezikut të vendosjes së precedentit ka pasur dhe shumë solidaritet nga kolegët dhe më vjen mirë pavarësisht këtyre sfidave ju theksuat dy gjëra me rëndësi zhvillimi profesional që është e rëndësishëm por dhe së dyti guximi”, u shpreh Bleriana Broja, Drejtore Ekzekutive, SCiDEV Center.

Konferenca u organizua nga Albania Woman in Audiovisual në bashkëpunim me Qendrën për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim ku u prezantuan gjetjet kryesore të dala nga zbatimi i projektit, “Thyejmë kallëpet, formësojmë të ardhmen”, që synon transformimin e praktikave mediatike në Shqipëri, raportimin me perspektivë gjinore, rolin e grave në media, sigurinë e gazetarëve.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×