
Emisioni “Në Shënjestër” ka zbardhur dinamikat që çuan deri në vendosjen e tritolit te “Perla e detit”.
Pas refuzimit të pronarit Sajmir Sina që lokalin t’ia japë me qira Flogert Mezhikës, Jeton Lami ka takuar Sinë n dhe i ka vendosur atij një gjobë prej 500 mijë euro.
Megjithatë ky fakt është hedhur poshtë nga Lami9 në dëshminë e tij në polici.
“Rrethanat e mësipërme nuk janë aspak të vërteta. Unë as nuk kam kanosur dhe as kam kërcënuar ndonjëherë ndonjë person, dhe jo më kallëzuesin.
Me kallëzuesin nuk kam as njohje dhe as marrëdhënie shoqërore dhe nuk mbaj mend ta kem takuar ndonjëherë, dhe jo më ta kem shtrënguar për dhënie pasurie”, ka dëshmuar Lami sipas dosjes hetimore.
Pjesë nga dokumentari:
Një nga personat e parë që u mor në pyetje nga grupi hetues në lidhje me konfliktin me Sajmir Sinën, ishte edhe Flogert Mezhika, i cili nga ana e tij hoqi çdo përgjegjësi nga vetja.
Madje u përpoq përgjatë gjithë kohës që ta zbusë sa më shumë konfliktin, duke treguar se me Sajmirin i kishin sheshuar keqkuptimet.
Madje edhe në rastin e debatit të tyre në lokalin ‘Vila 23’, ai thotë se Sajmiri i kishte dërguar njerëz për t’i kërkuar falje.
“Para disa muajsh unë kam dashur të marr me qira një lokal në afërsi të lokalit ‘Vila 23’, që ishte një ambient në ndërtim e sipër.
Për këtë arsye unë u interesova tek një shitëse lulesh dhe i mora numrin e pronarit të këtij objekti. Pasi fola me shtetasin Sajmir Sina, i kërkova atij që lokalin t’ia merrja unë me qira si dhe bisedova që të bënim dhe kontratën për këtë qëllim kur të përfundonin punimet.
Në fillim Sajmiri ra dakord dhe unë kam ndjekur në vazhdimësi ecurinë e punimeve.
Më pas, duke qënë se frekuentoja shpesh zonën, dëgjova që ambienti për të cilin kisha rënë dakord me Sajmirin, do bëhej restorant peshku.
E telefonova dhe e pyeta Saimirin, i cili ma anashkaloi bisedën duke më thënë se do flisnin kur ai të vinte në Shqipëri.
Pas disa ditësh, Sajmiri erdhi në Shqipëri dhe më tha se kishte ndryshuar mendje dhe nuk do ta bënte lokal, por restorant peshku.
Unë u ndjeva shumë i fyer pasi kisha muaj që isha investuar në këtë projekt, por u largova nga Sajmiri pa i thënë asnjë lloj fjale, përveçse e kishim lënë burrërisht dhe burrat nuk bëjnë kështu.
Pas disa ditësh, unë isha duke kaluar në rrugicën midis lokalit të Sajmirit dhe ‘Vilës 23’ kur u shkëmbeva me dy persona të moshës rreth 30 vjeç të cilët po më shikonin në një mënyrë të çuditshme.
Debati i radhës ka ndodhur kur unë isha ulur në një tavolinë me pronarin e lokalit ‘Vila 23’, që më kishte ftuar për një kafe.
Vetëm pas disa minutash. tek tavolina jonë erdhi Sajmiri dhe filloi të bërtasë me zë të lartë, duke më thënë me ton kërcënues se çfarë kisha me nipin e tij dhe se do të më fuste në dhe.
Unë nuk reagova dhe nuk iu përgjigja.
Më pas Sajmiri u largua bashkë me gruan dhe nipin e tij.
Prej këtij momenti, unë nuk e kam takuar më Sajmirin, ndërsa ai më ka dërguar njerëz për të më kërkuar falje dhe për të sheshuar keqkuptimin”, dëshmon Mezhika.
Por ndërsa u pyet për njohjen e tij me Jeton Lamin, Flogert Mezhika nuk e mohoi që njiheshin. Kjo njohje sipas tij ishte vetëm prej faktit që të dy frekuentonin të njëjtin lokal, atë ‘Vila 23’, por sipas tij ata nuk kishin komunikuar ndonjëherë bashkë.
“Me Jeton Lamin, unë pi kafe tek i njëjti lokal me të, ‘Vila 23’. por bashkë nuk kemi biseduar asnjëherë. Për sa i përket shpërthimit unë nuk kam asnjë dijeni dhe në kohën që ka ndodhur ngjarja, unë kam qenë në banesën time duke fjetur gjumë”, tha ai.
Por ndërsa tha se nuk kishte asnjë lidhje me shpërthimin, apo se debati me Sajmir Sinën për qiranë e objektit ishte konsumuar dhe mbyllur me kaq, dëshmia e njërit prej qiramarrësve duket se rrëzon atë të dhënë nga Flogert Mezhika
Teksa i pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes, Klodian M, që mori me qira restorantin ‘Perla e Detit’ në pronësi të Sajmir Sinës, tha për grupin hetues se Flogert Mezhika i kishte thënë që nuk do ta gëzonte lokalin që do merrte me qira.
Për këtë arsye ishte mirë që të hiqte dorë.
“Gjatë kohës që po bënin punime tek objekti i marrë me qira (Perla e Detit), rreth muajit qershor ose korrik, tek restoranti që ne kemi, ka ardhur shtetasi Flogert Mezhika me familjen e tij për të konsumuar darkë.
Dhe këtu ai i ka thënë vëllait tim se e dinte që kishim marrë me qira lokalin, por duhet të hiqnim dorë, pasi do e merrte ai, dhe se ne nuk do e gëzonim dot”, tha ai.
Por siç shikohet në vazhdim në mbrojtje të Flogert Mezhikës dhe dëshmisë së dhënë prej tij në polici, del Florin Domi, pronari i lokalit ‘Vila 23’, ku zhvillohen pjesa më e madhe e ngjarjeve.
Florin Domi që tha për grupin hetues, se kishte qenë Sajmiri që ishte konfliktuar dhe kishte ofenduar Flogertin. Ndërsa mohoi që të kishte dijeni për gjobën që Jeton Lami i kishte vendosur Sajmirit edhe pse ky i fundit tha në dëshminë e tij se Florin Domi ishte aty kur Jeton Lami, i vendosi gjobën.
“Prej 8 vitesh unë kam një lokal të marrë me qira, të quajtur ‘Vila 23’ në rrugën Bulevardi ‘Nënë Tereza’ në Kamëz. Në lidhje me shtetasin Sajmir Sina, unë njihem që nga koha kur ai bënte punimet në një ambient biznesi pranë lokalit tim, që tani ëshë bërë restorant peshku ‘Perla e Detit’. Gjatë kësaj kohe unë jam takuar disa herë me Sajmirin në lokalin tim por nuk kam biseduar shumë me të.
Në lidhje me Flogert Mezhikën unë atë e njoh si klient prej rreth tre vitesh.
Por njihemi dhe familjarisht pasi kemi fëmijët me një çerdhe.
Përsa i përket konfliktit të tyre di që në muajin gusht Sajmiri erdhi në lokalin tim dhe e ofendoi Flogertin, duke i thënë që nëse kthente kokën më nga lokali i tij do ta fuste në tokë.
Në këtë moment Flogerti nuk reagoi, ndërsa unë u ngrita dhe i thashë Sajmirit, i cili ishte i shoqëruar me disa persona të tjerë, që po bën shumë gabim. të qetësohej dhe të flisnin më pas.
Më vonë Sajmiri erdhi dhe më kërkoi falje.
Në lidhje me gjobën unë nuk kam asnjë dijeni që Jetoni t’i ketë vendosur gjobë Sajmirit”, tha ai.
Interesant është fakti se kur u pyet për praninë në lokalin e tij të Jeton Lamit, Florin Domi tha se ai e ka të punësuar këtë të fundit, madje i paguante edhe siguracione.
Gjithashtu mohoi që ai të ishte ndërmjetësi midis Sajmir Sinës dhe Jeton Lamit, gjatë takimit të tyre në dhomën prive të lokalit, ku u vendos dhe gjoba.
Ndërsa për kamerat jashtë funksionit, ai tha se ato janë djegur disa muaj më parë dhe që nga ajo kohë nuk i kishte zëvendësuar.
“Unë se kam thirrur asnjëherë Sajmir Sinën për të takuar Jeton Lamin.
Në lidhje me Jetonin për herë të fundit e kam takuar më datë 15 Nëntor dhe me të njihem prej 10 vitesh që në periudhën e gjimnazit. Pas daljes nga burgu Jetoni punon tek lokali im, ku është edhe i siguruar. Në lidhje me pajisjen e DVR-së, nuk është funksionale prej rreth katër muajsh, pasi për shkak të tensionit të lartë janë djegur dhe nuk i kam vendosur më”, tha Domi.
Por vetë Jeton Lami, i pyetur nga grupi hetues mohoi çdo thënie të Sajmir Sinës kundrejt tij. Sikurse edhe pretendimin e këtij të fundit, se ai e kishte gjobitur, ku për nevoja të hetimit u krye dhe kqyrja e jashtme fizike e Jeton Lamit, nga ku rezultoi se ai ka një gjatësi 197 cm, trup të rregullt, flokë të shkurtra, të rëna në pjesën para, me mjekër të gjatë, ngjyrë të zezë.
Me tatuazhe në krahun e majtë dhe të djathtë, deri në pjesën e kyçeve.
“Rrethanat e mësipërme nuk janë aspak të vërteta. Unë as nuk kam kanosur dhe as kam kërcënuar ndonjëherë ndonjë person, dhe jo më kallëzuesin.
Me kallëzuesin nuk kam as njohje dhe as marrëdhënie shoqërore dhe nuk mbaj mend ta kem takuar ndonjëherë, dhe jo më ta kem shtrënguar për dhënie pasurie”, ka dëshmuar Lami.
Por grupi hetues ka dyshimet e veta se të tre, Florin Domi, Flogert Mezhika dhe Jeton Lami, janë bërë bashkë për të shantazhuar dhe gjobitur Sajmir Sinën me qëllim zhvatjen e tij.
Ndërsa policia shpalli në kërkim personazhin që mendohet të jetë truri i kësaj gjobëvënie.
Ervis Lami, që rezulton të jetë kushëri me Jeton Lamin.
“Në kuadër të operacionit ‘Motivi’ u vunë në pranga për veprat penale ‘Shkatërrimi i pronës me eksploziv’ dhe ‘Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë’, shtetasit: Jeton Lami, 31 vjeç, Florin Domi, 30 vjeç, Flogert Mezhika, 34 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi Ervis Lami, 31 vjeç, të katërt banues në Kamëz. Nga hetimet ka dyshime se këta shtetas kanë hedhur lëndë eksplozive në fasadën e jashtme të biznesit, duke shkaktuar dëme materiale, për shkak të mosdhënies së një shume prej 500 000 euro, të kërkuar në formë gjobëvënieje ndaj pronarit të objektit, shtetasit Sajmir Sina”, thuhet në njoftimin e policisë.
Kjo sipas policisë pasi këta shtetas njihen shumë mirë me njëri-tjetrin, edhe për faktin që frekuentojnë të njëjtin lokal, si dhe ka dyshime që kanë organizuar edhe të tjera ngjarje kriminale.
Ndërsa një tjetër dyshim lidhet me faktin që personi i paidentifikuar që vendosi tritolin në restorantin në pronësi të Sajmir Sinës, bazuar në pamjet filmike u largua pikërisht në drejtim të zonës ku të dyshuarit banojnë dhe qëndrojnë.
and then