“Janë vjedhur me miliona, por rinia është indiferente”/ Lubonja: Mazhoranca është katastrofë dhe opozita po qëndron në stilin e vjetër

“Jemi në një regjim që po i dëbon njerëzit”, kështu u shpreh analisti Fatos Lubonja, në një intervistë në News 24, ndërsa foli për 8 dhjetorin, Ditën e Rinisë, situatën politike në vend, korrupsionin dhe situatën në opozitë.

Gjatë kësaj interviste, Lubonja renditi një sërë problematikash me të cilat përballet rinia shqiptare, duke theksuar se fatkeqësisht mungojnë hapësirat që rinia të ketë mundësinë të ecë përpara.

“Çështja e madhe e rinisë është ti krijosh mundësinë të shprehin potencialin e tyre dhe që të arrihet kjo duhet të ketë liri demokraci. Ndërsa ajo kohë, ajo liri e asaj kohe ishte liri e dhuruar. U bënë protesta, por të shoqëruara me ikje të madhe, me dëshirën për t’i ikur këtij vendi”, tha ai.

Ndalur tek situata në Partinë Demokratike, “Foltorja”, apo takimet e Ervin Salianjit, Lubonja tha se është për të ardhur keq  që opozita vazhdon të qëndrojë në stilin e vjetër. Lubonja u shpreh kritik edhe ndaj mazhorancës, duke thënë se është e përfshirë nga skandale dhe korrupsioni.

“Është një thirrje që bëhet nga njerëz që kanë humbur njëlloj besimi, një thirrje që thotë bashkohuni në udhëheqjen tonë, por ajo që ka munguar gjithmonë është përfshirja reale e rinisë. Politika jonë e ka katandisur popullin si spektator që rri në stadium. Demokracia është pjesëmarrje në jetën politike të vendin, vendimmarrje e përbashkët. Ky autoritarizëm që kërkon rininë në një moment të caktuar për protestë, por që nuk e mobilizon ditë për ditë, nuk ecën. Mazhoranca është katastrofë, por edhe opozita në stilin e vjetër”, u shpreh Lubonja.

Gjithashtu Lubonja u shpreh se ka një mungesë të ndjeshmërisë, pavarësisht të gjitha skandaleve të ndodhura.

Ndërsa u shpreh se janë vjedhur miliona euro, dhe rinia është tejet indifirente. “Më duket sikur janë të gjithë në një teatër”, tha ai.

Gjatë intervistës, foli edhe situatën e sigurisë në Evropë, duke thënë se “është një kohë ku vlerat e demokracisë kanë dalë në plan të dytë dhe po dominon forca dhe interesat ekonomike.

“ Është shqetësuese sepse i bën jehonë një fjalimi që ka bërë Venc, pra kemi të bëjmë me një ngjarje historike nëse do të vazhdojë kjo politikë e Trump. Ky është debati i madh, cili është fati jonë, cili do të jetë fati i Europës? Ajo që bie në sy është një aleancë e Trump me figura të rëndësishme…Jemi në një kohë kur vlerat e demokracisë, kanë dalë në plan të dytë dhe dominon forca dhe interesat ekonomike”, tha Lubonja.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×