
Pas denoncimit për punime të paligjshme në parkun Arkeologjik të Finiqit, ka reaguar ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Gonxhja shkruan se lajmet nuk janë të vërteta dhe përbëjnë keqinformim mbi një proces tërësisht të ligjshëm restaurimi dhe konsolidimi.
“Sipas njoftimit, aktualisht, në Parkun Arkeologjik të Finiqit po zhvillohen punimet e miratuara dhe të mbikëqyrura nga institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore, si pjesë e projektit “Restaurimi dhe konsolidimi i Murit të Bastionit në Parkun Arkeologjik të Finiqit”, të cilat po kryhen nga subjekti kontraktues “JOGI” sh.p.k., në bazë të vendimit nr. 206, datë 09.04.2021, i rimiratuar me Vendimin nr. 398, datë 25.07.2025, të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale.
Pas disa vitesh pritje, ky projekt i rëndësishëm po merr më në fund trajtën e zbatimit konkret, duke shënuar një hap të domosdoshëm në ruajtjen dhe valorizimin e një prej monumenteve më përfaqësuese të antikitetit në jug të vendit. Ndërhyrjet synojnë stabilizimin afatgjatë të strukturës, ruajtjen e autenticitetit të murit mbrojtës dhe përmirësimin e sigurisë së vizitorëve, duke i hapur rrugë një përvoje më cilësore kulturore dhe turistike në Finiq”, thuhet në njoftim.
Sipas Gonxhes, punimet përfshijnë lidhen me pastrimin e sipërfaqeve dhe të bimësisë, kryerjen e sondazheve për verifikimin e themeleve, ndërtimin e sistemit të drenazhit, konsolidimin me shufra inoksi, si dhe rivendosjen në pozicion të gurëve ciklopikë të rrëzuar, me peshë 1.8–2.2 ton secili.
“Konsideruar peshën e rëndë të gurëve ciklopikë të rrëzuar, në raste të tilla, përdoren mjete të specializuara ngritëse me kapacitet deri në 4.8 ton, plotësisht në përputhje me normat dhe kriteret e VKM nr. 1099/2020. Pikërisht këto mjete dhe veprimtari janë keqinterpretuar si gërmime të paligjshme, ndërkohë që ato janë pjesë e procesit të dokumentuar të restaurimit”, tha Gonxhja.
Ministri Gonxhja theksoi se deri më tani, projekti ka arritur në 80% të realizimit, duke garantuar stabilitetin afatgjatë të Murit të Bastionit, sigurinë e vizitorëve dhe ruajtjen e një prej monumenteve më të rëndësishëm të kulturës së vendit.
Në fund, Gonxhja nënvizon se ftohen mediat dhe publiku që të verifikojnë informacionin pranë institucioneve përgjegjëse përpara publikimit, për të shmangur shpërndarjen e lajmeve të pasakta që cenojnë perceptimin publik mbi punën e bërë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
and then