
Në Ministrinë e Drejtësisë është zhvilluar sot tryeza e radhës konsultative për hartimin e Kodit të ri Penal në Shqipëri. Krahas ministrit Besfort Lamallari, i pranishëm në takim ishte gjithashtu ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera të pavarura.
Fokusi i tryezës së sotme ishin një grup veprash penale që prekin drejtpërdrejtë interesin publik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit: veprat penale kundër mjedisit, regjimit të tokës dhe kafshëve; veprat penale kundër ekonomisë dhe pasurisë; si dhe ato kundër artit, kulturës, pronësisë intelektuale dhe industriale.
Në fjalën e tij ministri i Drejtësisë, Lamallari, tha se kjo tryezë dhe procesi në tërësi është të dëgjojmë mendimet, sugjerimet dhe përvojat praktike. Ai vuri theksin te gjithëpërfshirja, transparenca dhe një diskutim real, jo formal.
“Të identifikojmë boshllëqet dhe nevojat për përmirësim; dhe të sigurohemi që dispozitat e draftit të Kodit Penal janë të qarta, të zbatueshme dhe efektive. Vetëm përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe bashkëpunues mund të ndërtojmë një Kod Penal që i përgjigjet realiteteve të sotme dhe sfidave të së nesërmes.
Të mos përsërisim të njëjtat gabime që janë bërë në të shkuarën në Kodin e ri. Kjo me qëllimin e vetëm që t’i ofrojmë shoqërisë shqiptare një Kod cilësor, të qëndrueshëm në kohë dhe që reflekton stadin në të cilin Shqipëria është e synon të bëhet anëtar i Bashkimit Europian”, deklaroi ministri Lamallari.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, tha se ndryshimet në Kodin Penal duhen parë përtej teknikës juridike.
“Ne jemi pjesë e natyrës, jo zotër të saj! Ky parim na udhëheq sot ndërsa ndërmarrim këtë reformë kaq të rëndësishme ligjore. Ndryshimet që propozojmë në Kodin e ri Penal, veçanërisht në kapitullin e veprave penale kundër mjedisit, shkojnë përtej teknikës juridike. Ato dëshmojnë përparimin tonë politik dhe angazhimin tonë për t’iu përgjigjur standardeve evropiane.
Me këto dispozita, nuk synojmë ndëshkimin “per se”, të shkelësve të ligjit, por të parandalojmë ndotjen, shfrytëzimin e paligjshëm të burimeve natyrore dhe shkeljet që dëmtojnë florën dhe faunën tonë, një pasuri të vyer kombëtare. Çdo masë, çdo ligj e çdo veprim është një hap drejt një Shqipërie që e sheh kujdesin që tregojmë ndaj natyrës, jo si “lajmi i ditës”, por si vizion dhe trashëgimi që lëmë pas”, deklaroi ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj.
Për pasurimin e mëtejshëm të drafit dhe përthithjen e sa më shumë kontributeve cilësore, Ministria e Drejtësisë dhe grupi i punës i ngritur enkas për Kodin Penal, do të vijojnë tryezat konsultative sipas kalendarit të dakordësuar e miratuar më parë.
and then