“Opozita shqiptare ka problem besueshmërie”, Hasimja kritik: PD s’mund të ulet me PS për Kodin Zgjedhor dhe pastaj të ftojë partitë e vogla në front

Pedagogu dhe politologu Ermal Hasimja shpalosi qëndrimin e tij gjatë tryezës së organizuar nga Partia Demokratike me pjesëmarrjen e partive opozitare, shoqërisë civile dhe intelektualëve, duke vënë theksin tek sfidat e besueshmërisë dhe nevoja për bashkëpunim mes forcave opozitare.

“Duhet të jemi të sinqertë. Problemi kryesor i opozitës sot, jo vetëm i PD-së, është besueshmëria. Në çdo vend normal me demokraci, një opozitë mesatare do të mjaftonte për të larguar një regjim të këtij lloji nga pushteti”, tha Hasimja.

Ai nënvizoi se opozita nuk ka luksin të krijojë konflikte të brendshme apo përçarje dhe se bashkëpunimi me partitë e tjera nuk është një zgjedhje, por një domosdoshmëri. Sipas tij, PD dhe partitë e tjera duhet të fokusohen në propozime konkrete dhe jo në “hartime poezie”, duke vendosur në qendër dy prioritetet: zgjedhjet e lira e të ndershme dhe mbrojtjen e sistemit të drejtësisë.

“PD duhet të tregojë një nivel besueshmërie dhe parimor më të lartë. Nuk ka kuptim të shfaqet si bashkëpunuese me PS për ndryshimin e Kodit Zgjedhor në kurriz të partive të vogla dhe pastaj të ftojë këto parti për bashkëpunim. Janë rreth 150 mijë shqiptarë që duhet respektuar, jo vetëm liderët e partive të vogla”, tha Hasimja.

Ai theksoi gjithashtu se institucionet më të besueshme sot janë ato të drejtësisë, shumë më larg partive, dhe se mbajtja e një qëndrimi parimor nga PD do i sillte opozitës besueshmëri dhe vota nga socialistët e zhgënjyer.

Hasimja përfundoi duke theksuar se një opozitë e bashkuar dhe me besueshmëri është thelbësore për të siguruar rotacion politik dhe zgjedhje të lira e të ndershme në vend.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×