
Gjyqi kundër kriminelit shqiptar të drogës, Franc Çopja, i njohur me emrin Franc Gergely, që po zhvillohej në ndërtesën Justitia në Evere, u ndërpre për 24 orë të hënën për shkak të pranisë së pleshtave në sallën e gjyqit. Një nga anëtarët e jurisë vuri re një plesht që i zvarritej të akuzuarit në krah. Pas pushimit të drekës, kryetarja e trupit gjykues vendosi të shtyjë seancën “për të marrë masat e nevojshme”.
“Kjo po shkon shumë larg,” deklaroi kryetarja e trupit gjykues, Isabelle de Saedeleer, duke iu referuar problemeve të shumta me të cilat përballet sistemi i drejtësisë. “Nuk dua të vë askënd në rrezik, as anëtarët e jurisë, as avokatët, as të pandehurit, askënd,” shtoi ajo, duke justifikuar shtyrjen e seancës. Gjykata u këshilloi të gjithë të përfshirëve që të lajnë rrobat e tyre në 60 gradë ose t’i vendosin në frigorifer.
Sistemi i drejtësisë belge në krizë
Sipas mediave belge, sstemi i drejtësisë në Belgjikë po përballet me vështirësi serioze, ndërsa vendi duket se po humbet terren në luftën kundër drogës. Gjykatat e mbingarkuara dhe burgjet e mbipopulluara po nxisin shqetësime se situata po del jashtë kontrollit.
Gjyqi i Franc Gergely (Çopja) dhe 8 të pandehurve të tjerë nisi më 5 janar. Ata akuzohen për vrasjen e Ardit Spahiut më 27 nëntor 2020 në Molenbeek. Të dy klanet mafioze përmenden në hetimet për trafikim të gjerë të kokainës. Hetuesit arritën të identifikojnë të dyshuarit pasi depërtuan në shërbimin e mesazheve të koduara Sky ECC.
and then