
Gazetari Ferdinand Dervishi ka folur mbi hetimet që lidhen me ndërhyrjen në sistemet e SPAK, duke sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe mënyrën se si janë aksesuar dosje dhe materiale hetimore.
Sipas Dervishit, në dosjen hetimore përmendet edhe emri i kryeministrit Edi Rama, por ai theksoi se kjo nuk do të thotë se ka më shumë se kaq në përmbajtjen e saj. “Përmendet emri i Ramës në atë dosje, por nuk besoj se ka më shumë se kaq”, u shpreh gazetari, duke shtuar se ngjarja u bë publike disa muaj më parë, por nuk u kuptua qartë në atë kohë.
Ai shpjegoi se fillimisht u hodhën dyshime dhe insinuata se si kishin dalë dosjet nga SPAK, ndërsa më pas u mësua se kishte pasur një ndërhyrje në sistem. Megjithatë, sipas hetimeve, nuk bëhej fjalë për një hakerim të sofistikuar. “Nga hetimi doli që dikush ka tentuar të futet në faqen zyrtare të SPAK. Aty ka dalë një faqe emaili që kërkonte kredenciale për hyrje dhe shfaqeshin emrat e prokurorëve”, tha Dervishi.
Gazetari ngriti shqetësime serioze mbi nivelin e sigurisë në institucionin më të rëndësishëm të drejtësisë. “Si ka mundësi që flasim për SPAK dhe të futesh kaq thjesht në faqen zyrtare, ku nëse ke fjalëkalimin e një prokurori, hyn direkt te puna e tij, te dosjet sekrete dhe materialet hetimore?”, u shpreh ai.
Sipas Dervishit, personi që ka hyrë në sistem ka pasur akses në të paktën tre adresa elektronike dhe, në mënyrë të çuditshme, të treja kishin të njëjtin fjalëkalim: “SPAK@2019”. Përmes këtij aksesi janë marrë disa dosje, hetime dhe materiale të shumta që konsideroheshin interesante.
Ai theksoi se pikërisht për shkak të mënyrës së thjeshtë të hyrjes, rasti nuk është cilësuar zyrtarisht si “hakerim” në kuptimin klasik, por si një dështim i sigurisë së brendshme.
and then