
Durrës- Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale.
Gjatë operacionit policor të koduar “PURPOSE” është arrestuar, 24-vjeçari Çim Kazazi.
I riu qarkullonte me motomjet, i armatosur me armë zjarri, në shëtitoren e plazhit në Durrës. Sipas policisë janë sekuestruar arma e zjarrit, municioni luftarak dhe motomjeti me të cilin qarkullonte.
Gjithashtu është proceduar penalisht edhe pasagjeri, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
Njoftimi i policisë;
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës dhe ato të Komisariatit të Policisë Kavajë kishin siguruar informacion se një shtetas nga Kavaja po qarkullonte me motomjet, i armatosur me armë zjarri pistoletë, në drejtim të Durrësit.
Menjëherë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “PURPOSE”.
Në kuadër të operacionit, në lagjen nr. 13, në vendin e quajtur shëtitorja e plazhit, shërbimet e Policisë konstatuan dhe ndaluan motomjetin që dyshohej se drejtohej nga shtetasi i armatosur me armë zjarri.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën shtetasit Ç. K., në sediljen e motomjetit, një armë zjarri, pistoletë Glock, me municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Ç. K., 24 vjeç, banues në Kavajë.
Gjithashtu, nisi procedimi penal për pasagjerin që ndodhej në motomjet, shtetasin F. M., 24 vjeç, banues në Kavajë, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen e qëllimit të lëvizjes me armë zjarri të 24-vjeçarit dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Moskallëzim i krimit”.
and then