
Detaje të reja janë bërë publike në lidhje me operacionin policor të koduar “Objektivi”, i finalizuar nga Policia e Tiranës, ku u zbardhën 6 raste vjedhjesh dhe tentativash për vjedhje të ndodhura gjatë dy ditëve të fundit dhe përgjatë vitit 2025.
Sipas informacioneve më të fundit, autori i dyshuar i këtyre ngjarjeve është identifikuar si Klajdi Muhametaj, 43 vjeç, banues në Tiranë, person me precedentë të mëparshëm penalë në fushën e vjedhjes. Ai u arrestua nga shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 4.
Hetimet tregojnë se më 21 janar 2026, Muhametaj dyshohet se ka vjedhur me thyerje një shumë parash dhe disa dokumente në ambientet e Postës Shqiptare në rrugën “Kujtim Laro”, si dhe ka tentuar të vjedhë në një filial banke. Po ashtu, gjatë muajve tetor dhe nëntor të vitit 2025, ai dyshohet se ka kryer vjedhje në katër lokale të ndryshme në zona të ndryshme të kryeqytetit, duke përvetësuar shuma parash dhe produkte të ndryshme.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, Policia ka sekuestruar një shumë parash të dyshuar të vjedhur, veshje të përdorura gjatë kryerjes së vjedhjeve, si dhe mjete të forta që shërbenin për hapjen e dyerve.
and then