
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, janë përplasur në Komisionin për Çështjet Europiane dhe Punët e Jashtme gjatë diskutimit të projektligjit për ndryshimet në median audiovizive, ku një nga pikat më të debatuara ishte dekriminalizimi i shpifjes për gazetarët. Gjatë fjalës së saj, Tabaku theksoi se çështja e dekriminalizimit të shpifjes ka qenë objekt debati prej vitesh në Shqipëri, duke nisur që nga viti 2007. Ajo u shpreh se dekriminalizimi duhet të vlejë jo vetëm për gazetarët, por për çdo qytetar, në funksion të mbrojtjes së lirisë së shprehjes.
Sipas deputetes demokrate, ky proces përbën një nga detyrimet e Shqipërisë në kuadër të grupkapitullit të parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ajo akuzoi gjithashtu qeverinë se ka qenë burimi kryesor i sulmeve ndaj gazetarëve, veçanërisht përmes gjuhës verbale, ndërsa u ndal te sulmi i paprecedentë ndaj News24. Tabaku theksoi se ndaj News24 u ushtrua sulm fizik, ndërsa shtoi se qeveria i di arsyet.
“Ka pasur një debat të vijueshëm nga viti 2007 deri në vitin 2012, kur ligjvënësi shqiptar ndërhyri për herë të parë për dekriminalizimin e fyerjes dhe shpifjes për shkak të detyrës. Këshilli i Europës ka rekomanduar dekriminalizimin e shpifjes jo vetëm për gazetarët, por për çdo qytetar, si pjesë e lirisë së shprehjes. Qeveria ka qenë burimi kryesor i sulmeve ndaj gazetarëve dhe ka lënë nenin 19 të paprekur. Ka marrë detyrim shtetit shqiptar që do ta bëjë. Është pjesë negociuese. Ne të gjithë këtu në këtë sallë, në një moment apo një tjetër kemi qenë pjesë e një lajmi që mund të mos ketë qenë i vërtetë. S’po them se duhet të normalizohet, as fryja dhe as shpifja. Por të gjitha vendet e kanë rregulluar me kundravjtje civile, jo burg por gjobë. Është e vërtetë që disa vende europiane se kanë të dekriminalizuar. Gjermania se ka kundravajtje penale, por ka një unifikim të vendimeve të gjykatave, që tentojnë për vendime civile që shkojnë te gjoba dhe jo te burgu. Ky është detyrim që e ka marrë qeveria shqiptare. Vitin që shkoi i nderuar kryetar ka pasur sulm ndaj një media, një sulm fizik ndaj News24, një media që ka qenë e sulmuar. Se për cilën arsyeje, e di qeveria. Por në këtë situatë që jemi, këto janë elemente që duhet t’i realizojmë. Pa paragjykuar vendimin e kolegëve, duhet të ripërkufizoni termin ‘gazetar”, deklaroi Tabaku.
Nga ana tjetër, Taulant Balla u shpreh se dekriminalizimi i shpifjes do të trajtohet me kujdes të veçantë për shkak të kompleksitetit që paraqet. Ai theksoi se përpara se të hiqet shpifja si vepër penale për gazetarët, duhet të përcaktohet qartë se kush konsiderohet gazetar. Sipas Ballës, qeveria ka marrë konfirmimin e Bashkimit Evropian për dokumentin që është paraqitur në këtë fazë, ndërsa shtoi se shumë vende anëtare të BE-së vijojnë ta mbajnë shpifjen si vepër penale në legjislacionin e tyre.
“Duhet të ndajmë qartë kush është gazetar dhe kush jo. Jo kushdo që vetëshpallet gazetar apo vendos një bexh. Gazetarët duhet të organizohen dhe të hartojmë një ligj për profesionin e rregulluar të gazetarit. Dua të garantoj se nuk ka vepër penale për shpifje për shkak të detyrës për gazetarët,” tha Balla. Ai përmendi gjithashtu se vende si Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Greqia dhe Italia ende e mbajnë shpifjen si vepër penale, duke e cilësuar nismën e qeverisë si një hap të rëndësishëm reformues. Debati në Komision pritet të vijojë edhe në seancat e ardhshme, ndërsa projektligji për median audiovizive mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
and then