Në vijim të vizitës zyrtare në Bruksel, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, u takua me Presidentin e Dhomës së Deputetëve, Peter De Roover, si dhe me Presidentin e Senatit të Belgjikës, Vincent Blondel.
Gjatë takimit me Presidentin Peter De Roover, u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe mes Shqipërisë dhe Belgjikës, të ndërtuara mbi respektin e ndërsjellë, vlerat e përbashkëta, partneritetin në NATO dhe angazhimin për stabilitetin rajonal dhe integrimin europian të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kryetari i Kuvendit theksoi rëndësinë e ndërveprimit parlamentar si një mekanizëm thelbësor për forcimin e bashkëpunimit politik dhe të gjithanshëm mes dy vendeve.
Kryetari Peleshi falënderoi homologun belg Peter De Roover për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës ndaj integrimit europian të Shqipërisë, veçanërisht gjatë lidershipit të suksesshëm të Presidencës belge të Këshillit të Bashkimit Europian. Ai riafirmoi se anëtarësimi në Bashkimin Europian mbetet një objektiv strategjik kombëtar për Shqipërinë dhe se ambicia drejt familjes europiane bazohet në parimin e meritës, në reformat transformuese dhe në rezultate konkrete.
Presidenti De Roover vlerësoi progresin e dukshëm të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe nënvizoi se kjo mbështetje do të vijojë, duke theksuar se procesi i anëtarësimit do të mbetet në fokus të bashkëpunimit parlamentar.
Në takimin me Presidentin e Senatit të Belgjikës, Vincent Blondel, u diskutua mbi thellimin e bashkëpunimit parlamentar, forcimin e sundimit të ligjit dhe shkëmbimin e përvojave në proceset reformuese. Kryetari Peleshi vlerësoi kontributin e ekspertizës belge në fushat e drejtësisë, administratës publike dhe rendit, si si dhe bashkëpunimin e ngushtë mes institucioneve ligjzbatuese të dy vendeve.
Bisedimet përfshinë gjithashtu çështje që lidhen me migracionin, bashkëpunimin në fushën e punëve të brendshme, si dhe perspektivat për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike. Kryetari Peleshi nënvizoi rolin e diasporës shqiptare në Belgjikë si një urë të rëndësishme lidhëse mes dy vendeve dhe shprehu gatishmërinë për nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit dypalësh.
Presidenti i Senatit, Vincent Blondel, vuri në dukje vullnetin për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe parlamentare, duke konfirmuar mbështetjen e Belgjikës për anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Takimet në Bruksel konfirmuan mbështetjen e qartë të Belgjikës për integrimin europian të Shqipërisë, vullnetin e përbashkët për avancimin e partneritetit dypalësh dhe forcimin e bashkëpunimit parlamentar në funksion të integrimit europian, stabilitetit rajonal dhe paqes. Në këto takime, Kryetari i Kuvendit u shoqërua nga një delegacion parlamentar i përbërë nga deputetët Igli Hasani, Ulsi Manja, Evis Kushi, si dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Belgjikë, Albana Dautllari.
and then