Minikrizë tek Egnatia, kampionët nuk fitojnë prej… tri javësh

Barazimi i fundit i Egnatias në Ballsh përballë Bylisit bëri që rrogozhinasit të mos jenë më të vetëm në krye të klasifikimit, duke e ndarë tashmë vendin e parë me Vllazninë.

Një ndalesë që në pamje të parë nuk duket dramatike, por që në fakt ka thelluar një periudhë jo të mirë për kampionët në fuqi. Edhe pse ende në krye të Superiores, rezultatet e javëve të fundit kanë futur Egnatian në një minikrizë, e cila po shfaq gjithnjë e më shumë sinjale alarmi. Skuadra e Edlir Tetovës nuk po transmeton më sigurinë dhe stabilitetin që e karakterizoi deri më tani. Loja mbetet nën kontroll në pjesë të mëdha të ndeshjeve, por momentet e shpërqendrimit dhe gabimet individuale po kushtojnë shtrenjtë, duke bërë që avantazhet të shpërdorohen ose ndeshjet të mos mbyllen me fitore.

5 GOLA NË TRE JAVË – Ajo që po kthehet në shqetësimin kryesor është mbrojtja. Për një skuadër kampione, pesë gola të pësuar në vetëm tre javë janë një shifër që nuk mund të anashkalohet. Dy gola të pësuar ndaj Bylisit, dy të tjerë përballë Elbasanit dhe një në humbjen ndaj Vllaznisë, tregojnë qartë se balanca mbrojtëse nuk është më ajo e zakonshmja. Edhe vetë trajneri Edlir Tetova e ka pranuar se skuadra po vuan në këtë aspekt, duke e cilësuar mbrojtjen si “thembra e Akilit” e këtij sezoni. Egnatia po lejon shumë hapësira mes reparteve, ndërsa kundërshtarët po shfrytëzojnë maksimalisht rastet që u krijohen. Në këtë kontekst, mungesa e mbrojtësit Eljon Sota mbetet një pikëpyetje e madhe. Në tri ndeshjet e para të këtij viti në kampionat, ai nuk ka qenë i pranishëm në fushë. Zyrtarisht nuk ka raportime për dëmtim, por po ashtu nuk ka as konfirmime për ndonjë largim të mundshëm. Megjithatë, zërat e merkatos e kanë lidhur mbrojtësin me një transferim të mundshëm, çka vetëm sa shton pasigurinë në një repart që aktualisht po vuan më shumë se çdo tjetër.

KRIZA E REZULTATEVE – Për aq kohë sa Egnatia vazhdon të qëndrojë në krye të renditjes, fjala “krizë” mund të duket e ekzagjeruar. Megjithatë, statistikat flasin ndryshe. Për herë të parë këtë sezon, kampionët nuk arrijnë të fitojnë në tri ndeshje radhazi, duke u ndalur në një humbje dhe dy barazime. Një ecuri që bie ndesh me standardin që vetë Egnatia ka vendosur në këtë edicion. Në javët e mëparshme, rrogozhinasit kishin pasur maksimumi dy ndalesa radhazi, por gjithmonë kishin reaguar menjëherë në ndeshjen pasuese. Këtë herë, reagimi ende mungon dhe presioni po rritet, sidomos nga rivalët direktë për titull, që po afrohen ndjeshëm. Për këtë arsye, sfida e fundjavës ndaj Tiranës merr vlera vendimtare. Një fitore do të shërbente jo vetëm për të ruajtur kreun, por edhe për të rikthyer qetësinë, besimin dhe autoritetin e kampionëve. Çdo hap tjetër fals rrezikon ta kthejë këtë minikrizë në një problem më serioz, në një moment kur gara për titull po hyn në fazën më delikate.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×