
Është ekzekutuar sot vendimi për shtetasin Laert Hasalla, i cili u shpall fajtor dhe u dënua me 25 vite burg, për porositjen e vrasjes së mbetur në tentativë ndaj Marjo Hasallës dhe plagosjen e Bajame Sanejas. Ngjarja lidhet me një konflikt të përgjakshëm mes dy degëve të së njëjtës familje, për një parcelë toke në zonën e Garunjasit, njësia administrative Ballagat.
Konflikti për pronësinë e tokës, e cila i përkiste fondit të ndërmarrjes pyjore dhe pretendohej nga të dyja familjet, kulmoi më 29 korrik 2021, kur Kastriot Hasalla vrau shtetasin Romeo Hasalla. Të dy familjet kishin lidhje farefisnore. Në këtë ngjarje u plagosën edhe Shaip Hasalla, 65 vjeç, si dhe Emiljano dhe Laeri Hasalla, përkatësisht 31 dhe 32 vjeç.
Ditën e ngjarjes, policia arrestoi Afrim Hasallën, 67 vjeç, babain e Kastriotit, si dhe vetë Kastriot Hasallën, 47 vjeç, dhe djalin e tij, Marjo Hasalla, 20 vjeç. Dy ditë më pas, Kastriot Hasalla u dorëzua në prani të avokatit, ndërsa Afrimi dhe Marjo u liruan. Për vrasjen e Romeo Hasallës, Kastriot Hasalla u dënua me burg.
Më 30 mars 2023, dhuna mes familjeve u rikthye. Ndërsa familja e Kastriot Hasallës po kthehej nga Fieri, ku ishte zhvilluar seanca gjyqësore për vrasjen e Romeo Hasallës, ata u qëlluan me armë zjarri në vendin e quajtur “Shkalla e Garunjasit”, rreth 2 kilometra larg fshatit. Sipas hetimeve, Mariglen Matjani, i porositur nga Laert Hasalla, qëlloi drejt automjetit tip “Volksëagen” ku udhëtonin Marjo Hasalla dhe halla e tij, Bajame Saneja, e cila mbeti e plagosur.
Pas atentatit, Afrim Hasalla akuzoi drejtpërdrejt Laert Hasallën si organizator të sulmit ndaj familjes së tij. Hetimet dhe procesi gjyqësor çuan në vendimin e sotëm të gjykatës, e cila e dënoi Laert Hasallën me 25 vite burg për porositjen e vrasjes së mbetur në tentativë dhe plagosjen e Bajame Sanejas.
and then