
Furnizuesi i Shërbimit Universal, FSHU pjesë e OSHEE Group, vijon procesin për përditësimin e kontratave të energjisë elektrike për të gjithë kategoritë e klientëve me qëllim ndryshimin e tarifimit sipas sistemit të ri të pagesës së energjisë.
FSHU ka ngritur grupe kontrolli në terren të cilët kanë konstatuar subjekte private që ushtronin aktivitetin e biznesit, kryesisht shërbime dhe që tarifoheshin me 8.5-9.5 lek/kWh si klientë familjarë, jo 14 lek/kWh, tarifa e miratuar për klientët biznes.
FSHU, pjesë e OSHEE Group, fton të gjithë bizneset, organizatat jofitimprurëse (OJF-të), si dhe personat fizikë që veprojnë si biznese, të verifikojnë dhe përditësojnë kontratën e tyre të energjisë, nëse rezultojnë ende të regjistruar si klientë familjarë.
Pse është i nevojshëm ky proces?
Procesi i verifikimit të kontratave të energjisë për subjektet private është i nevojshëm për një tarifim të drejtë bazuar në sistemin e ri të pagesave sipas aktivitetit të biznesit. Klasifikimi i pasaktë në sistem, ka ardhur si pasojë e regjistrimeve të vjetra, mungesës së përditësimeve apo ndryshimeve në përdorimin real të objektit.
Përmes këtij procesi, FSHU u bën thirrje subjekteve të ndërgjegjësohen dhe të bashkëpunojnë me grupet e kontrollit në terren, me qëllim ndryshimin e tarifimit nga familjar në jo-familjar, duke shmangur penalitetet.
Kush përfshihen në këtë proces përditësimi?
Në procesin e përditësimit përfshihen të gjithë subjektet që kryejnë veprimtari ekonomike në emër të një personi fizik apo juridik, të cilët e përdorin energjinë për qëllime biznesi (zyra, dyqane, punishte, qendra shërbimi etj.), apo që janë të regjistruar si OJF, por në praktikë konsumojnë energji për funksione të ngjashme me ato të subjekteve ekonomike.
Ky proces nuk prek klientët që janë realisht konsumatorë familjarë dhe e përdorin energjinë vetëm për qëllime banimi.
Procesi është i thjeshtë dhe përfshin verifikimin e kontratës aktuale të energjisë elektrike (nëse është familjare apo biznes), plotësimin e një kërkese për ndryshim të kategorisë, bashkëngjitjen e dokumentacionit përkatës, që vërteton natyrën ekonomike të aktivitetit (NIPT, ekstrakt QKB etj.).
Përditësimi i kontratave mund të bëhet lehtësisht në sportelet e Qendrave të Kujdesit të Klientit të FSHU-së, pjesë e OSHEE Group, ose online, përmes platformës online, web-it zyrtar të kompanisë dhe aplikacionit të OSHEE-së.
FSHU dhe OSHEE Group u bëjnë thirrje të gjitha subjekteve të mos e shtyjnë këtë proces dhe të përfitojnë nga mundësia për përditësim te dhenash dhe ndryshim tarifimi, duke garantuar një sistem më të rregullt dhe funksional për të gjithë.
and then