
Elona Bregu, 40 vjeç, e cila u ngjit në kullën e ish-Uzinës së Kuçovës duke kërcënuar se do të hidhej pasi ishte pushuar nga puna, ka folur pas takimit në Bashki, duke bërë me dije se situata ka marrë zgjidhje.
Ajo pretendon se largimi nga puna nga kompania private “Viola Green” erdhi pasi kërkoi pagën e prapambetur prej dy muajsh. Pas negociatave që shmangën një ngjarje tragjike dhe pasi zbriti nga kulla, Bregu nuk dha detaje mbi diskutimet në institucion, por u shpreh se ishte arritur një marrëveshje.
“E gjetëm zgjidhjen. Ata të kompanisë na hoqën nga puna dhe ne u ngjitëm lart. Kështu do ta zgjidhim, sepse ndryshe nuk po na jepet zgjidhje. Bëhet fjalë për 380 mijë lekë. Ato kam, me një vajzë të sëmurë për të rritur. Pse duhet të më heqin nga puna? Çfarë bëra? Asgjë”, deklaroi ajo pas daljes nga Bashkia.
E pyetur për kohëzgjatjen e vonesave në pagesë, Bregu tha se kishte dy muaj e gjysmë pa marrë rrogën, duke theksuar se kompania është private dhe se largimi nga puna erdhi pasi ajo dhe koleget e saj u ankuan për pagat.
Ndërkohë, edhe dy punonjëse të tjera të pushuara nga puna konfirmuan se tre prej tyre ishin larguar nga kompania në të njëjtën kohë, ndërsa më herët ishin shkarkuar edhe katër persona të tjerë. Sipas tyre, arsyeja e largimit ishte ankesa e bërë në Bashki për pagat e padhëna.
“Na kanë hequr nga puna pse kemi shkuar në Bashki. Nuk kemi sharë dhe as kemi ofenduar askënd”, u shprehën ato.
and then