
Dy prokurorë federalë kërkuan të hënën dënim me burgim të përjetshëm për Franc Gergely, i njohur edhe si Franc Çopja, pasi ai u shpall fajtor për organizimin e vrasjes së Ardit Spahiu dhe për drejtimin e një organizate kriminale.
Vendimi i fajësisë u dha nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Bruksel të premten në mbrëmje. Procesi tashmë ka hyrë në fazën e përcaktimit të dënimit, që po zhvillohet në pallatin e drejtësisë Justitia në Haren, ku është zhvendosur gjykimi i nisur gjashtë javë më parë.
Prokurorët kërkuan jo vetëm burgim të përjetshëm, por edhe që i pandehuri të mos paraqitet përpara gjykatës së zbatimit të dënimeve për të paktën pesë vite. Sipas tyre, juria nuk duhet të marrë në konsideratë asnjë rrethanë lehtësuese.
Gergely u shpall fajtor për organizimin e vrasjes së Spahiut, një plan që sipas aktakuzës ishte përgatitur për muaj me radhë. Spahiu, 38 vjeç, u ekzekutua më 27 nëntor 2020 në Sint-Jans-Molenbeek. Ai konsiderohej rival i Gergelyt dhe i Mikael Qosja dhe u qëllua me nëntë plumba në shpinë dhe kokë.
Në paraqitjen përfundimtare, prokurorja Nathalie Franco e përshkroi të pandehurin si “trurin operacional” të komplotit. “Ai ka një perceptim strategjik të caktuar”, deklaroi ajo, duke e cilësuar si “më manipuluesin dhe më të rrezikshmin nga vëllezërit e tij”, me “mungesë totale empatie” dhe “mentalitet luftarak e kriminal”.
Sipas prokurores, Gergely është i kërkuar në Shqipëri për disa vepra të rënda penale, ndërsa në Belgjikë nuk ka precedentë penalë të mëparshëm.
Avokati mbrojtës Cédric Vergauwen kundërshtoi kërkesën për burgim të përjetshëm, duke e cilësuar atë si një “dënim shembullor”.
“Sipas jush, duhet të jepet një shembull. Por dënimi duhet të jetë i nevojshëm, jo spektakolar, dhe mbi të gjitha i përshtatur për individin”, argumentoi ai.
Mbrojtja theksoi moshën e re të të pandehurit, 33 vjeç, mungesën e një dënimi penal në Belgjikë apo në Shqipëri – ku ai rezulton i kërkuar, por ende i pagjykuar – si dhe kontekstin familjar dhe historik. Sipas avokatit, Gergely është rritur në sfondin e një “hakmarrjeje të gjatë” dhe të një lufte klanesh me origjinë në Shqipëri.
“Burgim i përjetshëm do të thotë t’i mbyllim derën introspektimit”, deklaroi ai para jurisë.
Para pezullimit të seancës, vetë Gergely iu drejtua jurisë duke falënderuar anëtarët për kohën dhe vëmendjen. Ai kërkoi “mëshirë” në përcaktimin e dënimit, duke theksuar moshën e tij të re.
“Po kërkoj vetëm mëshirë”, u shpreh ai.
Franc Gergely ndodhet në paraburgim në Belgjikë që prej 29 dhjetorit 2023, kur u ekstradua nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai ka shtetësi shqiptare.
I lindur në vitin 1992 në Shqipëri, ai u largua nga vendi në moshën 16-vjeçare për të punuar në Itali dhe më pas u vendos në Dubai në vitin 2019. Sipas aktakuzës, ai ishte aktiv në trafikun e drogës dhe i përfshirë në një konflikt mes familjeve shqiptare.
and then