
Mbrëmja e Champions-it sjell përballje të mëdha, por edhe histori që mund të kishin qenë ndryshe. Në një univers paralel, sonte në Stambull, në mitikun “Ali Sa Mien” do të zbriste si lider i sulmit bardhezi Mauro Icardi, përballë “Galatasaray”-t të tij. Në realitet, megjithatë, kjo pistë mbeti thjesht një ide merkatoje.
Sipas asaj që ka raportuar “Tuttosport”, Juventusi nuk e konsideroi kurrë seriozisht afrimin e sulmuesit argjentinas. Vetë Luciano Spalletti kishte qenë i qartë: “Nuk e duam Icardin”. Profili i preferuar i trajnerit ishte tjetër – më shumë lëvizshmëri, më shumë dinamikë – një identikit që përputhej me Kolo Muani. Por mbi të gjitha, në sfond mbetej edhe kujtimi i raportit të ndërlikuar mes Spallettit dhe Icardit në kohën e Interit.
Ironia e fatit do që sonte në qendër të vëmendjes të jetë një tjetër emër i madh: Victor Osimhen. Sulmuesi nigerian rikthehet të sfidojë Juventusin në play-off-in e UEFA Champions League me fanellën e Galatasaray, por zbulon se edhe ai ka qenë shumë pranë bardhezinjve.
Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, Osimhen ka rrëfyer: se para se të nisnin bisedimet me Galatasaray-n, Giuntoli e kishte telefonuar me qëllimin për ta bindur që të shkonte te Juventusi. Fola me disa persona të klubit, kishte interes konkret. Por e dija që De Laurentiis nuk do të më linte të largohesha, u shpreh sulmuesi nigerian i Gallatasarayt.
Pra, një merkato me shumë “po sikur”. Icardi që mund të ishte përballë të kaluarës së tij, Osimhen që mund të kishte veshur bardhezinjtë. Në fund, zgjedhjet u bënë dhe rrugët u ndanë. Tani flet fusha: Juventusi dhe Galatasaray përballë njëra-tjetrës, me yje që sonte shkruajnë kapitullin e radhës në skenën më të madhe europiane.
and then