
Rreziku i çarjes së digave në disa prej rezervuarëve të mëdhenj në Qarkun e Elbasan ka ngritur shqetësim mes banorëve dhe autoriteteve vendore, sidomos pas reshjeve të dendura të ditëve të fundit që kanë rritur ndjeshëm nivelin e ujit. Në territorin e këtij qarku ndodhen dhjetëra rezervuarë të shpërndarë në bashkitë Elbasan, Librazhd, Peqin, Cërrik, Belsh, Gramsh dhe Prrenjas. Një pjesë e këtyre veprave hidrike janë ndërtuar dekada më parë dhe kërkojnë monitorim të vazhdueshëm, veçanërisht në kushte të motit të paqëndrueshëm.
Alarmi i fundit është dhënë nga banorë të fshatit Funar, të cilët kanë shprehur frikën për mundësinë e dëmtimit të digës së rezervuarit në zonë, duke paralajmëruar për pasoja të mundshme për tokat bujqësore dhe banesat pranë. Nga ana tjetër, Bashkia Elbasan ka reaguar zyrtarisht duke theksuar se situata është nën kontroll. Sipas njoftimit, grupet e ASHP ndodhen në terren dhe janë të angazhuara për normalizimin e situatës, duke monitoruar nga afër nivelin e ujit dhe gjendjen teknike të digës. Autoritetet bëjnë me dije se po merren të gjitha masat parandaluese për të shmangur çdo rrezik potencial.
Ekspertët e menaxhimit të emergjencave theksojnë se kontrolli periodik i digave, pastrimi i kanaleve shkarkuese dhe investimet në rehabilitimin e strukturave të amortizuara janë thelbësore për të garantuar sigurinë e komuniteteve përreth.
and then