Dosja “Balluku”/ Lala: SPAK po heton pasuritë dhe kompanitë fituese të tenderave, priten prova të reja

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në studion e News24, ka dhënë detaje mbi zhvillimet më të fundit lidhur me hetimet e SPAK ndaj Belinda Ballukut, e cila është pezulluar nga detyra si zv/kryeministre.

Sipas Lalës, krahas hetimeve për procedurat e tenderave me vlerë miliona euro, Prokuroria e Posaçme ka dërguar shkresa në disa institucione dhe banka, duke kërkuar informacion të detajuar për pasuritë e Ballukut dhe personave të lidhur me të. Në fokus të hetimit do të jetë verifikimi i burimeve të të ardhurave dhe evidentimi i çdo pasurie të pajustifikuar.

Ajo theksoi se hetimi pasuror është kompleks, pasi zyrtarët e lartë kanë detyrim ligjor për deklarimin e të ardhurave, ndërsa prokurorët duhet të provojnë nëse ka mospërputhje apo të ardhura të pajustifikuara. Sipas saj, hetimi shtrihet në të gjithë periudhën nga momenti kur Ballukut i ka lindur detyrimi për deklarim pasurie e deri në ditët e sotme.

Lala shtoi se në Këshillin e Mandateve do të referohen të gjitha provat e reja, ndërsa gjatë hetimeve mund të lindë nevoja për të siguruar të dhëna shtesë mbi udhëtime apo pasuri jashtë vendit. Në këto raste, SPAK duhet të përdorë letër-porosi ndërkombëtare, procedurë që kërkon kohë më të gjatë.

Sipas gazetares, hetimet po thellohen çdo ditë dhe po grumbullohen prova të reja që mund të sjellin rrethana të panjohura deri tani. Ajo bëri me dije se SPAK ka kryer kontrolle në një numër të konsiderueshëm kompanish që kanë fituar tendera, të cilët sipas dyshimeve të prokurorisë janë paracaktuar. Mes tyre përmenden kompania e Arbër Abazit, “Nova Construction”, “Salillari” dhe subjekte të tjera.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×