VIDEO/ Përplasja e Ramës me Spiropalin dhe disa deputetë të tjerë, Peleshi nga Korça: Mendimet e ndryshme janë normale, s’jemi formacion ushtarak

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i pyetur nga mediat këtë të diel për përplasjet mes Ramës dhe disa deputetëve në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, deklaroi nga Korça se brenda PS nuk ka përçarje.

Por, ai ka shtuar se është normale të ketë mendime të ndryshme kur je pjesë e një formacioni politik.

“Unë nuk mund të komentoj thashetheme pa substancë politike. Nuk di çfarë do të thotë përçarje; natyrisht që ka diskutime. Kemi pasur orë të gjata diskutimesh dhe kjo besoj është e shëndetshme. Diskutimi nuk mund të quhet përçarje.

Ne nuk jemi një formacion ushtarak pa mendime, pa frymë debati dhe pa demokraci të brendshme”, u shpreh Peleshi.

Edhe kur gazetarët në Korçë i përmendën debatin mes Ramës dhe Damian Gjiknurit dhe përplasjen e kryeministrit me ish-ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha, Peleshi sërish i kundërshtoi dhe i cilësoi këto si thashetheme.

“Këto janë thashetheme pa kontekst politik”.

Ai garantoi gjithashtu se do të ushtrojë maskimalisht detyrën e tij si kryetar Kuvendi që reforma e re territoriale të jetë bipartizane dhe jo partiake, me qëllim realizimin e një reforme efikase dhe jo thjesht grumbullim votash.

“Gjithmonë ka dinamikë, ndaj edhe ka ardhur koha për një reformë të re. Unë shpresoj shumë dhe do të luaj edhe rolin tim, që më takon si Kryetar i Kuvendit, për të mundësuar një klimë sa më pozitive. Ndonjëherë nuk është e lehtë, është një nga sfidat më të mëdha të atij pozicioni, që të kemi një formulë bipartizane.  Kjo do të shuante edhe paragjykimet për një reformë të frymëzuar politikisht”, u shpreh Peleshi.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×