
Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, nga foltorja e Kuvendit ka ngritur shqetësimin për situatën e vështirë në sektorin fason, duke akuzuar qeverinë për neglizhencë dhe mungesë reagimi ndaj problematikave të kësaj industrie.
Sipas Bozdos, fasoneria, si një nga sektorët më të rëndësishëm të industrisë prodhuese dhe eksportuese në Shqipëri, po përballet me vështirësi serioze që prej vitit të kaluar, pa marrë asnjë përgjigje nga institucionet. “Nëse kjo situatë vijon, rrezikojmë zhdukjen e një sektori jetik për ekonominë,” u shpreh ai.
Ai theksoi se sektori punëson rreth 65 mijë persona drejtpërdrejt dhe mbi 100 mijë të tjerë në nivele të ndryshme mbështetëse, duke luajtur një rol të rëndësishëm social, veçanërisht për gratë dhe shtresat më të margjinalizuara.
Bozdo paralajmëroi se tkurrja e këtij sektori sjell pasoja të drejtpërdrejta në uljen e të ardhurave, rritjen e emigracionit dhe përkeqësimin e barazisë sociale.
Një nga problemet kryesore, sipas tij, mbetet kursi i këmbimit të euros, i cili ka rënë ndjeshëm, duke dëmtuar konkurrueshmërinë e prodhimeve shqiptare. “Fuqizimi i lekut dhe rënia e euros nuk vjen nga rritja ekonomike, por nga fenomenet e pastrimit të parave,” deklaroi ai, duke shtuar se zhvlerësimi i euros deri në nivele rreth 95 lekë po godet industrinë, bujqësinë dhe sektorin prodhues në tërësi.
Deputeti i PD theksoi gjithashtu se rritja e çmimit të naftës po e përkeqëson edhe më tej situatën, duke e cilësuar si një goditje shtesë për bizneset prodhuese.
Në përfundim, Bozdo kërkoi krijimin e një mekanizmi kompensues për kursin e këmbimit, si një masë e domosdoshme për të mbështetur sektorin fason dhe për të shmangur një krizë më të thellë ekonomike.
and then