“Nuk ka përjashtime nga PD për mendime ndryshe”, Paloka: A do të garojë Salianji? Kandidaturat vendosen mbi kritere

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda PD-së dhe debatin për garën për kryetar, mes përplasjeve me ish-deputetin Ervin Salianji.

I ftuar në News24, Paloka theksoi se në Partinë Demokratike nuk ka përjashtime për shkak të mendimeve ndryshe, duke u shprehur se ai vetë përfaqëson frymën e bashkimit dhe jo të përjashtimit.

“Nuk ka asnjë përjashtim për mendime kundër apo zëra kundër. Unë jam për bashkim, jo për përjashtim,” u shpreh ai, duke shtuar se çdo vendim i tillë kalon përmes strukturave përkatëse të partisë.

Paloka sqaroi se PD ka një organ të posaçëm, të cilin e quajti gjykata e partisë, që shqyrton rastet mbi bazën e provave dhe statutit, dhe që merr vendime të pavarura nga opinionet individuale.

Ai theksoi se çdo organizatë politike ka rregulla që duhet të respektohen dhe se edhe në statutin e PD-së parashikohen raste për përjashtimin e anëtarëve, duke shtuar se këto çështje nuk duhen trajtuar në mënyrë subjektive.

Sa i takon debatit për tensione të brendshme, Paloka e cilësoi si të ekzagjeruar narrativën për krizë në PD, duke theksuar se debati është pjesë e natyrshme e një partie demokratike.

“Nëse ka diçka që e dallon PD, është pikërisht debati. Nuk kemi pasur kurrë diçka hermetike,” deklaroi ai, duke bërë edhe një krahasim me Partinë Socialiste dhe mënyrën e funksionimit të saj.

I pyetur nëse Ervin Salianji do të lejohet të kandidojë për kryetar të PD-së, Paloka u shpreh se procesi ende nuk ka nisur dhe se kandidaturat do të kalojnë përmes filtrit të kritereve dhe strukturave të partisë.

“Gara nuk ka filluar akoma. Nuk mund të kandidojë kushdo. Ka kritere dhe një kryesi që selekton kandidaturat. Në fund do të shihet kush do të jetë në garë,” përfundoi ai.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×