
Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian kërkon angazhim të koordinuar të të gjithë administratës publike për të arritur standardet e duhura, rritur cilësinë e shërbimeve dhe forcuar llogaridhënien ndaj publikut. Në këtë kuadër, në vijim të Reformës së Inspektimeve dhe për t’iu përgjigjur sfidave të kohës për eficiencë, transparencë dhe koordinim, Inspektori i Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, zhvilloi sot tryezën përmbyllëse të punës me inspektoratet e varësisë: AKB, AKM, DSHPA, AKVMB, AKAP, AKSEM, ISHTI dhe AKZM.
Ky takim shënon përfundimin e ciklit të takimeve të zhvilluara gjatë retreat-it, duke sjellë së bashku disa inspektorate për të përmbledhur punën e realizuar, për të dhënë mesazhet finale të përbashkëta dhe për të përcaktuar hapat vijues të zbatimit në nivel qendror dhe rajonal.
Në hapje të tryezës, Inspektori i Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, vlerësoi kontributin e deritanishëm të institucioneve pjesëmarrëse dhe theksoi nevojën për intensifikimin e përpjekjeve në funksion të rezultateve të matshme të reformës. Ai nënvizoi rëndësinë e unifikimit të praktikave të inspektimit dhe standardizimit të proceseve të kontrollit, si garanci për një trajtim të barabartë, procedura të qarta dhe besueshmëri më të lartë të procesit inspektues. Inspektimet mbi bazë të një plani paraprak dhe gjurmueshmëria janë dy element që kanë nevojë për tu përmirësuar me qëllim që të mos kemi kontrolle selektive por mbi bazë analize dhe po ashtu nevojitet gjurmueshmëria në mënyrë që inspektimi të mos kthehet në mekanizëm trysnie për qëllime përfitimi të paligjshëm por të shërbejnë si mekanizma që garantojnë sigurinë dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
Duke u ndalur te faza e radhës e zbatimit, z. Sula theksoi se koordinimi ndërinstitucional dhe qasja e unifikuar janë parakushte për shmangien e mbivendosjeve, rritjen e efikasitetit dhe përdorimin më të mirë të burimeve. Sipas tij, standardet e përbashkëta dhe një planifikim i integruar i inspektimeve krijojnë bazë të fortë për llogaridhënie publike, si dhe për një marrëdhënie më të qartë e më transparente me qytetarët dhe bizneset.
Gjatë tryezës u përmblodhën përfundimet kryesore të punës ndërinstitucionale dhe u diskutuan drejtimet kryesore të fazës së ardhshme, me fokus të veçantë:
– konsolidimin e standardeve të përbashkëta të inspektimit dhe dokumentacionit shoqërues;
– harmonizimin e planifikimit dhe kalendarizimin e kontrolleve sipas prioriteteve dhe analizës së riskut;
– forcimin e mekanizmave të koordinimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet institucioneve;
– përcaktimin e një plani veprimi me masa konkrete, ndarje përgjegjësish dhe afate zbatimi;
– vendosjen e mekanizmave të monitorimit dhe raportimit periodik për progresin e reformës.
Një element kyç i diskutimit ishte dixhitalizimi i proceseve të inspektimit në funksion të transparencës maksimale dhe gjurmueshmërisë së çdo veprimi. U theksua se standardizimi i praktikave dhe përdorimi i instrumenteve të përbashkëta të punës mbështesin raportim të unifikuar, vendimmarrje të bazuar në evidenca dhe komunikim më të qartë me subjektet e inspektuara, duke reduktuar njëkohësisht barrën administrative dhe duke rritur efektivitetin në terren.
Takimi u mbyll me konfirmimin e hapave të radhës për zbatim: planifikim të bashkërenduar, unifikim të plotë të praktikave, përmirësim të shkëmbimit të informacionit dhe rritje të standardit të shërbimit ndaj publikut. Inspektori i Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, ritheksoi angazhimin për vijimin e bashkëpunimit me inspektoratet e varësisë dhe strukturat rajonale, me synim që Reforma e Inspektimeve të përkthehet në rezultate konkrete për qytetarët dhe bizneset në të gjithë vendin.
and then