
Prokuroria e Posaçme nuk e kundërshtoi thirrjen e kryeministrit Edi Rama si dëshmitar në procesin penal të pagëzuar si “Partizani” me të pandehur kryesor për akuzën e korrupsionit kryer në bashkëpunim, ish-kreun e qeverisë shqiptare Sali Berisha.
Thirrja e Ramës është kërkuar nga avokatët e të pandehurve, që pretendojnë se është pikërisht ai që ka bërë ndryshimin e destinacionit të klubit sportiv Partizani, çështje për të cilën nuk është pyetur asnjëherë, në një kohë që të pandehur janë marrë Berisha, dhëndri i tij Malltezi dhe disa persona të tjerë.
Prokurorët thanë se në lidhje me këtë çështje e lënë në vlerësim të gjykatës, duke mos e kundërshtuar thirrjen e kryeministrit si dëshmitar në proces.
Ndërsa këmbëngulën në Gjykatën e Posaçme të rrezohen kërkesat e të pandehurve dhe avokatëve të tyre, për pavlefshmëri të provave, gjë që në thelb do të rrëzonte procesin. “Kërkojmë që këto pretendime të mos merren parasysh dhe të rrëzohen”, thanë prokurorët.
Për marrjen e një vendimi lidhur me kërkesat paraprake të palëve, seanca u shty me datë 15 prill.
Berisha është I pandehur për korrupsion pasi sipas SPAK favorizoi dhëndrin e tij në privatizimin e klubit sportiv Partizani, ndërsa Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, për të njëjtën vepër akuzohen dhe disa të pandehur të tjerë.
Ndërkohë në këtë të enjte në GJKKO u zhvillua seanca e radhës për shqyrtimin e paraqitur nga Jamarbër Malltezi dhe bashkëshortja e tij Argita Malltezi për heqjen e sekuestros mbi 25 pasuritë e tij.
Gjatë seancës avokati Klodian Skënderi deklaroi se klienti I tij për shkak të sekuestrimit të pasurive e ka të pamundur një jetesë normale. Malltezi deklaroi se për këtë arsye nuk ka mundësi të paguajë as avokatet, duke i cenuar të drejtën për një mbrojtje efektive dhe akses në drejtësi, fakte që u kundërshtuan nga SPAK.
and then