
Ish-drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, një ditë pas largimit nga detyra, duke ndarë një mesazh falënderimi dhe një bilanc të punës së tij në krye të sistemit penitenciar.
Në reagimin e tij, Qose shprehet mirënjohës për besimin e dhënë për drejtimin e Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ndërsa falënderon të gjithë punonjësit për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë kësaj periudhe.
“Së pari, dua të falënderoj dhe t’u përcjell gjithë mirënjohjen time, të gjithë punonjësve të këtij sistemi për përkushtimin, profesionalizmin dhe përgjegjshmërinë e treguar,” shprehet ai.
Në mesazhin e tij, Qose vlerëson gjithashtu bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar dhe Ambasadës së Italisë mes të tjerësh.
Ai falënderoi gjithashtu komunitetet fetare, institucionet vendase dhe organet e drejtësisë, përfshirë SPAK dhe GJKKO, për bashkëpunimin e dhënë.
Duke bërë një bilanc të punës, Qose thekson se gjatë mandatit të tij janë ndërmarrë reforma për rritjen e transparencës, modernizimin dhe sigurinë në sistemin penitenciar. Ai përmend vendosjen e sistemeve antidron në burgjet e sigurisë së lartë, sigurimin e mjeteve të blinduara për transportin e të dënuarve me rrezikshmëri të lartë dhe shtimin e flotës së ambulancave.
Gjithashtu, ai evidenton investimet në infrastrukturë, si rihapja e institucionit të Ali Demit si burg i hapur, ndërtimi i burgut të ri në Kukës, restaurimi i disa institucioneve të vuajtjes së dënimit dhe vijimi i punimeve në Fushë-Krujë.
Në fokus të punës së tij, sipas Qoses, ka qenë edhe përmirësimi i kushteve të stafit përmes trajnimeve, bursave dhe lehtësive financiare, si dhe digjitalizimi i sistemeve dhe rritja e standardeve të sigurisë dhe shëndetit në punë.
Në fund të mesazhit, ai i uron suksese drejtuesit të ri të Burgjeve, Ardiatik Kupi, duke theksuar rëndësinë e vijimit të reformave në këtë sektor.
and then