
Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, ka analizuar efektet që mund të ketë në Shqipëri armëpushimi i arritur mes SHBA dhe Iranit, pas disa javësh përplasje që ndikuan drejtpërdrejt transportin e naftës në Ngushticën e Hormuzit.
I ftuar në studion e News24, Preçi u shpreh skeptik për ndikimin real që vendimmarrjet e brendshme, si ato të bordit të çmimeve, kanë në raport me tregjet ndërkombëtare.
Sipas tij, Shqipëria është një treg i vogël dhe nuk furnizohet drejtpërdrejt nga vendet që kuotojnë produktet në bursë, ndaj ndikimi i zhvillimeve globale nuk reflektohet gjithmonë në mënyrë të drejtpërdrejtë. “Jemi në atë që njihet si periudha e rezervës teorike dhe bordi është një shpikje, që synon të qetësojë situatën, por nuk ka ndonjë rol real për të luajtur”, u shpreh ai.
Preçi theksoi se çmimet përcaktohen kryesisht nga kërkesa dhe oferta, ndërsa thelbësore mbeten politikat publike që duhet të garantojnë ekuilibër mes qeverisë, biznesit dhe qytetarëve.
Sa i përket uljes së çmimit të naftës pas lajmit për armëpushimin, eksperti e cilësoi atë si pozitive, por të kufizuar. “Lajmi është i mirë, por ulja është simbolike. Në vendet perëndimore, çmimi i naftës ka rënë rreth 15% pas zhvillimeve në Iran”, tha ai, duke shtuar se çdo masë që stabilizon tregjet është e mirëpritur, me shpresën që të ketë ndikim real edhe në ekonominë shqiptare.
Nga ana tjetër, ai paralajmëroi se tensionet në Lindjen e Mesme ndikojnë edhe psikologjikisht në tregun vendas. “Ashtu si trembet konsumatori, trembet edhe furnitori”, u shpreh Preçi, duke nënvizuar problemet strukturore të ekonomisë shqiptare.
Sipas tij, tregu në vend vuan nga mungesa e konkurrencës, rregullimi i dobët dhe spekulimet nga segmente të caktuara, ndërsa mungojnë politikat shtetërore efektive për të amortizuar goditjet që vijnë nga tregjet ndërkombëtare.
and then