
Gazetari dhe analisti Reldar Dedaj, i ftuar në studion e News24, komentoi zhvillimet e fundit në skenën politike në vend, duke ngritur shqetësime mbi funksionimin e sistemit dhe rolin e partive politike.
Sipas Dedajt, sistemi aktual elektoral dhe politik vendos në qendër dy partitë kryesore, duke e bërë pothuajse të pamundur depërtimin e alternativave të reja politike, pavarësisht ideve apo programeve që ato mund të ofrojnë.
“Ky sistem ka vendosur në qendër dy parti. Nuk lejon alternativa të reja politike që, sado interesante të jenë, e kanë të pamundur të penetrojnë në masivitet dhe të përkthejnë votat në mandate,” u shpreh ai.
Analisti paralajmëroi se nëse partitë e mëdha fillojnë të njësohen në qëndrime apo veprime, krijohet një perceptim për një “skenar të errët”, që sipas tij mund të çojë në tërheqjen e qytetarëve nga jeta publike ose në rritjen e dëshirës për emigrim.
“Kjo krijon mungesë shprese dhe kjo është vrastare për shoqërinë,” theksoi Dedaj.
Duke u ndalur te opozita, ai u shpreh se ajo duhet të ketë një interes të qartë për të ardhur në pushtet. Sipas tij kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha sheh një vullnet për të forcuar partinë, por shtoi se problemet kryesore qëndrojnë brenda grupit parlamentar.
“Një pjesë e deputetëve nuk kanë guxim t’i thonë kryetarit të partisë mendimin e tyre dhe nuk arrijnë të jenë zëra kritikë në shoqëri,” u shpreh ai, duke i cilësuar ata si të pafuqishëm për të qenë atraktivë për publikun.
Nga ana tjetër, Dedaj kritikoi edhe mazhorancën, duke theksuar se ajo vijon të përballet me skandale të njëpasnjëshme, të cilat sipas tij nuk po shkaktojnë reagimin e duhur në shoqëri.
“Këto skandale nuk po krijojnë irritim në shoqëri dhe kjo është gjëja më e frikshme, sepse tregon se qytetarët ndjejnë se kanë humbur perspektivën,” përfundoi ai.
Sipas tij, paaftësia e disa deputetëve për të artikuluar apo edhe njohur problemet reale të qytetarëve mbetet një nga sfidat kryesore të opozitës në vend.
and then