
Kufizimi i qëndrimit vetëm me 3 muaj në vendet e Bashkimit Europian brenda afatit prej 180 ditësh është bërë shkak që Shoqatat e Kamionistëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, si Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina dhe Serbia të bllokojnë aktivitetin nga data 14 prill deri në 16 prill në shenjë proteste.
Sipas kamionistëve, leja për të qëndruar vetëm 90 ditë në vendet e BE-së i pengon ata të punojnë përtej kufijve të vendeve të tyre të origjinës.
Bllokimi i aktivitetit të tyre është reflektuar edhe në Pikën e Kalimit Kufitar të Hanit të Hotit, ku këtë të martë që prej orës 09:30 nuk ka hyrë në territorin shqiptar asnjë kamion mallrash.
Policia Kufitare bën të ditur se për arsye sigurie dhe për të shmangur bllokimin e rrugëve apo incidente të mundshme, nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë edhe nga Shqipëria drejt Malit të Zi, deri në përfundim të protestës 72-orëshe. Po ashtu, në akset rrugore që të çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Republikën e Malit të Zi, do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet e vogla, automjetet e emergjencës, autobusët dhe mjetet e transportit të pasagjerëve.
Policia Kufitare kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve të tonazhit të rëndë, për respektimin e periudhës së kufizimit të lëvizjes, me qëllim shmangien e bllokimit të rrugëve apo të incidenteve të mundshme.
and then