Birra “Korça” e preferuar dhe për amerikanët, Donald Suxho: Produkti 100% shqiptar, nga marketet e restorantet së shpejti dhe në stadiume. Synojmë ta prodhojmë dhe në SHBA

Nga Korça në Los Angeles, rrugëtimi i Donald Suxho, një ish-volejbollist nga Korça, sot distributor i birrës “Korça” në SHBA, është një histori këmbënguljeje, pasioni dhe rikthimi tek rrënjët.

Kur u largua nga Korça me familjen drejt SHBA-së, pas viteve ’90, ai mori me vete vec pasionit për sportin, të trashëguar në familje, edhe kujtimet e festave me birra “Korça”.

Ish-kapiteni i ekipit amerikan të volejbollit në Lojërat Olimpike, Donaldi, në një lidhje me Neës24, tregoi se ai po ndërton një kapitull të ri në jetën e tij, shpërndarjen e birrës tradicionale korçare në tregun amerikan.

Suxho jeton në Los Angeles, ndërsa biznesin e ka të përqendruar në Ohio. Ai rrëfen se lidhja e tij me birrën “Korça” është e hershme dhe thellësisht emocionale.

“Sporti na ka mbajtur gjallë. Babai im ishte trajner i volejbollit të femrave ‘Skënderbeu’. Pas çdo ndeshjeje, ndalesa jonë ishte te birra Korça, një vend që për mua përfaqësonte më shumë se një pije, ishte një ambient social, një traditë,” kujton ai.

Donaldi tregon se në SHBA, sporti u bë ura që e mbajti të lidhur me identitetin dhe i hapi dyert drejt një karriere të suksesshme ndërkombëtare.

Pas dekadash në fushën e volejbollit, ëndrra e tij mori një drejtim të ri: të sillte në Amerikë shijen e vendlindjes.

Në vitin 2015, pas 20 vitesh larg vendlindjes, Suxho u kthye në Shqipëri dhe luajti ndeshjen e tij të fundit me ekipin Studenti Tiranë në Tiranë.

Po atë periudhë, falë rrjeteve sociale, ai u rilidh me miqtë dhe komunitetin sportiv.

Një takim i rëndësishëm me përfaqësues të “Birra Korça” në vitet 2015–2016 në SHBA shënoi fillimin e një bashkëpunimi që sot po jep frytet e veta.

“U takova përmes një mikut tim Adi Doçi, me biznesmenin e njohur Irfan Hysenbelliu dhe menduam pse jo, birra “Korça” të tregtohej në marketet amerikane.

Amerikanëve u pëlqen shija e birrës Korça. Kur e provojnë, e kërkojnë sërish. Ajo është unike sepse prodhohet dhe me ujin e Moravës tonë,” tha ai.

Aktualisht, produkti po shpërndahet me sukses në Ohio dhe synimi i radhës është zgjerimi në shtete të tjera, si dhe hyrja në stadiume sportive, një hap që do të bashkonte dy pasionet e tij më të mëdha: sportin dhe birrën.

Një tjetër projekt ambicioz në horizont është hapja e një fabrike prodhimi të birrës “Korça” në SHBA, duke e bërë markën edhe më të aksesueshme për tregun amerikan.

Me një histori që daton që nga viti 1928, “Birra Korça” mbetet një simbol i traditës shqiptare. Për Donald Suxhon, ta shohë këtë produkt në tregun amerikan nuk është thjesht një arritje biznesi, por realizimi i një ëndrre personale.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×