Aksident i rëndë në autostradën Lushnjë–Fier, motoçiklisti përplaset nga një automjet. Dërgohet në gjendje kritike në spital

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në autostradën Lushnjë–Fier, në vendin e njohur si “Pushimi i Shoferit”, ku një motoçikletë është përplasur me një automjet tip “VW”.

Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në rrethana ende të paqarta, ndërsa përplasja mes dy mjeteve ka qenë e fortë. Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i motoçikletës ka mbetur i plagosur rëndë. Ai është transportuar menjëherë me urgjencë drejt Spitalit të Lushnjës me autoambulancë, ku mësohet se ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po punojnë për menaxhimin e trafikut dhe disiplinimin e qarkullimit të mjeteve, pasi për disa minuta është krijuar edhe ngarkesë në rrugë.

Sipas të dhënave të para të policisë, dyshohet se automjeti tip “VW” ka hyrë në kryqëzim, ndërsa motoçikleta me targa të huaja është përplasur me të. Megjithatë, këto mbeten ende versione paraprake dhe pritet verifikimi i plotë i dinamikës së aksidentit.

Në vendngjarje ndodhet gjithashtu edhe pajisja regjistruese e kaskës së motoçiklistit, e cila pritet të ndihmojë hetuesit në zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Ndërkohë, grupi hetimor pritet të mbërrijë në vendngjarje për të kryer veprimet procedurale dhe për të përcaktuar shkaqet e sakta të këtij aksidenti të rëndë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×