
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka shpërndarë një telegram në drejtoritë vendore dhe komisariatet në vend, duke kërkuar masa të menjëhershme për goditjen e shpërndarjes së drogës dhe mbajtjes së armëve të ftohta në shkolla dhe në perimetrin e sigurisë së tyre.
Hita ngre shqetësimin për disa ngjarje të rënda të regjistruara gjatë vitit shkollor 2024-2025, ku nxënës apo persona të tjerë kanë hyrë në ambiente arsimore me sende të ndaluara, duke shkaktuar incidente që kanë rrezikuar jetën dhe sigurinë e nxënësve, si edhe kanë cënuar zhvillimin normal të procesit mësimor.
Në urdhër kërkohet organizimi i shërbimeve të posaçme policore në çdo institucion arsimor, duke vendosur agjentë të policisë kriminale pranë shkollave për të monitoruar situatën dhe për të goditur shpërndarësit e drogës.
Gjithashtu, parashikohen kontrolle të befasishme nga strukturat e narkotikëve, agjentët e komisariateve dhe forcat operacionale për kapjen në flagrancë të personave që futen në shkolla për të shpërndarë lëndë narkotike. Ndërkohë, strukturat e Hetimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me komisariatet, janë urdhëruar të mos lejojnë shitjen e produkteve të ndaluara për të miturit nën 18 vjeç.
and then