Rastet e fundit, reagon Shoqata e Gjyqtarëve të Futbollit të Kosovës

Shoqata e Gjyqtarëve të Futbollit të Kosovës ka reaguar ndaj pakënaqësive të fundit në Kosovë sa i takon arbitrimit.

Reagimi:

Të nderuar përfaqësues të mediave, komunitetit sportiv dhe opinion publik,

Shoqata e Gjyqtarëve të Futbollit të Kosovës ka pranuar me shqetësim deklaratat publike të bëra gjatë këtij edicioni garues nga përfaqësues të klubeve në drejtim të gjyqtarëve të futbollit të Kosovës.

Duke respektuar të drejtën legjitime të çdo klubi dhe subjekti sportiv për të shprehur qëndrimet apo pakënaqësitë e tyre lidhur me organizimin dhe zhvillimin e garave, konsiderojmë se kjo e drejtë nuk duhet të shndërrohet në mjet presioni, kërcënimi apo denigrimi publik ndaj zyrtarëve të ndeshjeve.

Deklaratat që përmbajnë insinuata, gjuhë denigruese apo elemente të qarta presioni ndaj gjyqtarëve janë të papranueshme, të papërgjegjshme dhe në kundërshtim me frymën sportive, respektin institucional dhe parimet e ‘fair-play’-it. Një qasje e tillë cenon integritetin e garës, autoritetin dhe dinjitetin e zyrtarëve sportivë, duke dëmtuar njëkohësisht edhe imazhin e futbollit kosovar.

Fatkeqësisht, kohëve të fundit është vërejtur një rritje e reagimeve emocionale dhe deklaratave të pamatura ndaj gjyqtarëve, të cilat po krijojnë një klimë të panevojshme tensioni dhe mosbesimi në opinionin sportiv. Forma të tilla komunikimi dëmtojnë jo vetëm autoritetin e gjyqtarëve, por edhe kulturën institucionale që duhet ta karakterizojë futbollin tonë.

Rikujtojmë se gjyqtarët janë autoritet i pavarur në fushën e lojës dhe çdo vlerësim për performancën e tyre trajtohet ekskluzivisht nga organet dhe komisionet kompetente, përmes mekanizmave zyrtarë, analizave profesionale dhe procedurave disiplinore të parapara me aktet normative në fuqi. Çdo tentativë për të ushtruar presion publik mbi vendimmarrjen apo integritetin e gjyqtarëve është e papranueshme.

U bëjmë thirrje të gjitha klubeve, zyrtarëve dhe akterëve të futbollit që të tregojnë përgjegjësi, maturi dhe respekt ndaj institucioneve të futbollit dhe zyrtarëve të saj, duke shmangur deklaratat që nxisin tensione, urrejtje apo klimë mosbesimi.

Njëkohësisht, njoftojmë se deklaratat denigruese, fyese dhe jo sportive do t’i adresojmë në organet kompetente të FFK-së për trajtim sipas procedurave dhe rregulloreve në fuqi.

Shoqata e Gjyqtarëve të Futbollit të Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të garave, autoritetit dhe dinjitetit të gjyqtarëve, si dhe në avancimin profesional dhe korrekt të futbollit në Kosovë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×