Nga ëndrra e titullit te realiteti i hidhur shkodran/ Heshtje në çdo cep të qytetit, Vllaznia zhgënjen tifozët

Në Shkodër ka rënë heshtja. Një qytet që zakonisht jeton me ritmin e futbollit dhe frymon me ngjyrat kuqeblu, këto ditë duket më i qetë se kurrë. Dy humbjet e para të Vllaznisë në “Final 4” kanë shuar pothuajse të gjithë entuziasmin që kishte pushtuar qytetin në prag të fazës vendimtare të sezonit. Aty ku pak javë më parë flitej për festë dhe titull, sot dominojnë zhgënjimi dhe pritja në heshtje.

Në kafene, rrugë apo ambientet sportive të qytetit, diskutimet për futbollin janë zbehur ndjeshëm. Edhe ata që zakonisht nuk mungojnë me analizat dhe komentet e tyre, kanë preferuar të qëndrojnë të rezervuar. Ekspertë të sportit, ish-futbollistë apo trajnerë të njohur të qytetit kanë shmangur prononcimet publike gjatë këtyre ditëve, në një përpjekje për të mos rënduar më tepër atmosferën në kampin kuqeblu.

Të gjithë e ndjejnë se skuadra ka humbur jo vetëm pikë, por edhe besimin që e kishte shoqëruar gjatë sezonit. Humbjet kanë lënë gjurmë të dukshme edhe tek tifozët. Në një qytet ku Vllaznia është shumë më tepër se një klub futbolli, zhgënjimi është përjetuar thellë. Shpresa për titull tashmë duket minimale dhe optimizmi i javëve të kaluara është zëvendësuar nga skepticizmi.

Pak janë ata që ende besojnë se mund të ndodhë një mrekulli sportive dhe se trofeu mund të përfundojë në Shkodër në fund të muajit. Megjithatë, pavarësisht heshtjes dhe klimës së rënduar, dashuria për skuadrën nuk është shuar. Ka ende tifozë që vazhdojnë të besojnë deri në fund, duke shpresuar që futbolli të dhurojë një tjetër kthesë të pabesueshme.

Ata e dinë se Vllaznia ka kaluar edhe periudha të vështira në historinë e saj dhe se ky klub ka ditur gjithmonë të ringrihet në momentet më të vështira. Tashmë gjithçka mbetet në pritje të 31 majit, ditës kur do të bjerë vërshëllima fi nale e sezonit. Deri atëherë, Shkodra mbetet në heshtje, mes zhgënjimit dhe një shprese të vakët që ende refuzon të shuhet plotësisht. Në qytetin ku futbolli është ndjenjë, askush nuk guxon ta quajë gjithçka të mbyllur, edhe pse realiteti sot duket më i ftohtë se kurrë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×