
MotoGP në Hungari solli një të premte plot surpriza, ku Pedro Akosta me KTM regjistroi kohën më të shpejtë në seancën e fundit para kualifikimeve zyrtare. Spanjolli ndaloi kronometrin në 1’36.827 në pistën “Balaton Park” dhe hyn si favorit për kualifikimet e së shtunës.
Pas tij u renditën Fabio Di Xhanantonio dhe Raul Fernandez. Në Top-10 dhe automatikisht të kualifikuar për në Q2 janë edhe Marko Bexeki, Mark Markez dhe Horge Martin, të cilët siguruan një pozicion të favorshëm për vijimin e fundjavës. Nga ana tjetër, zhgënjim për Françesko Banjajan, i cili do të duhet të kalojë nga Q1 pasi u rendit vetëm i 14-ti. Në një pistë nën qiell të vrenjtur dhe me erë të fortë, Aksosta dominoi me një xhiro mbresëlënëse.
Pas tij u renditën Di Xhanantonio (+0.413), Raul Fernandez, Fermin Aldeguer dhe Ai Ogura, që mbyllin Top5. Lista e dhjetë pilotëve që kalojnë direkt në Q2 kompletohet me liderin e botërorit Marko Bexeki, me Mark Markezin (i cili testoi edhe një evoluim të ri të bishtit të motorit në Dukati), Diogo Moreira, Horge Martin dhe Xhek Miler. Nuk ia doli të kalojë më tej as Fabio Kuartararo, i cili u rendit i 11-ti dhe do të nisë nga Q1, njësoj si Banjaja.
Piloti italian pati probleme me frenat dhe një të premte të vështirë, duke e mbyllur ditën në vendin e 14- të dhe duke rrezikuar edhe një rrëzim në fund të sesionit. Pak më lart u rendit bashkëkombësi i tij Luka Marini, ndërsa Enea Bastianini përfundoi në vendin e 15-të. Të shtunën në orën 10:50 do të vijohet më kualifikueset, ndërsa në orën 15:00 nis Sprinti, për të vijuar të dielën në orën 14:00 me Çmimin e Madh.

and then