“Mbreti” i Parisit, Zverev triumfon në Roland Garros, Grand Slam i parë për gjermanin. Flavio Cobolli hyn në histori

Alexander Zverev është kampioni i ri i Roland Garros 2026. Tenisti gjerman triumfoi në finalen e madhe të turneut parizien, duke mposhtur italianin Flavio Cobolli me rezultatin 6-1, 4-6, 6-4, 6-7, 6-1 pas katër orësh e njëzet minutash lojë spektakolare në Court Philippe Chatrier.

Për 29-vjeçarin nga Hamburgu, ky është titulli i parë Grand Slam në karrierë dhe i 25-ti në total në circuitin ATP. Një sukses i shumëpritur për Zverevin, i cili në të kaluarën kishte humbur tri finale të mëdha, në US Open 2020, Roland Garros 2024 dhe Australian Open 2025.

Finalja nisi nën dominimin e plotë të gjermanit. Zverev fitoi setin e parë me shifrat e thella 6-1, duke i marrë tri herë shërbimin kundërshtarit. Reagimi i Cobollit erdhi menjëherë në setin e dytë, ku italiani tregoi karakter dhe barazoi rezultatin e seteve falë një fitoreje 6-4.

Edhe seti i tretë ishte shumë i luftuar, por në momentet vendimtare Zverev u tregua më i saktë dhe e mbylli 6-4. Kur dukej se gjermani po afrohej drejt trofeut, Cobolli gjeti energjitë për të reaguar edhe një herë. Italiani fitoi setin e katërt në “tie-break”, duke çuar finalen në setin e pestë dhe vendimtar.

Megjithatë, në fraksionin e fundit Sacha Zverev mori menjëherë kontrollin e lojës. Dy “break”-e të shpejta i dhanë avantazhin e nevojshëm, ndërsa Cobolli nuk arriti të shfrytëzonte rastet për t’u rikthyer në garë. Gjermani e mbylli setin 6-1 dhe ngriti për herë të parë në karrierë trofeun e Roland Garros.

Pavarësisht humbjes, turneu mbetet historik për Flavio Cobollin. Tenisti 24-vjeçar italian arriti për herë të parë në finalen e një Grand Slam-i dhe nga java e ardhshme do të hyjë në Top 10 të renditjes ATP, duke regjistruar rezultatin më të mirë të karrierës së tij.

Një finale që konfirmoi Zverevin si kampion të ri të Parisit, por që njëkohësisht shënoi edhe ngjitjen mes emrave më të rëndësishëm të tenisit botëror për talentin italian, Flavio Cobolli.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×