
Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin e arsyetuar për ankimin kushtetues të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke pranuar pjesërisht kërkesën e tij dhe duke shfuqizuar vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Në vendimin nr. 57, datë 25 maj 2026, të shpallur më 1 korrik 2026, Kushtetuesja ka vendosur që çështja t’i kthehet Gjykatës së Lartë për rishqyrtim, pasi ka konstatuar probleme kushtetuese në mënyrën se si janë trajtuar pretendimet e paraqitura nga Veliaj.
Gjykata Kushtetuese thekson se Gjykata e Lartë nuk ka ushtruar një kontroll efektiv mbi proporcionalitetin e masës më të rëndë të sigurisë personale, atë të arrestit në burg, si dhe nuk ka analizuar në mënyrë të individualizuar të gjitha pretendimet e ngritura në rekurs.
Në vendim thuhet se Gjykata e Lartë është mjaftuar kryesisht me miratimin e arsyetimit të gjykatave më të ulëta, pa verifikuar nëse ky arsyetim u ka dhënë përgjigje të plotë pretendimeve të mbrojtjes, përfshirë edhe nevojën për masa më të lehta sigurie si “garancia pasurore”.
Një tjetër element i theksuar nga Kushtetuesja lidhet me raportin mes masës së arrestit dhe ushtrimit të funksionit publik. Sipas saj, Gjykata e Lartë nuk ka analizuar në mënyrë të veçantë ndikimin që paraburgimi ka mbi ushtrimin e mandatit të kryetarit të bashkisë, të fituar me votë të drejtpërdrejtë.
Gjykata vlerëson gjithashtu se pretendimi për trajtimin e Veliajt në sallën e gjyqit, përfshirë qëndrimin në “kafaz” ose kabinë xhami, nuk është shqyrtuar nga Gjykata e Lartë, duke prekur kështu parimin e prezumimit të pafajësisë dhe dinjitetit njerëzor.
Në përfundim, Kushtetuesja konstaton se vendimi i Gjykatës së Lartë nuk përmbush standardin kushtetues të arsyetimit në lidhje me kufizimin e lirisë personale dhe proporcionalitetin e masës së sigurisë.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur për fajësinë apo pafajësinë e Veliajt dhe as nuk ka vendosur lirimin e tij, por ka urdhëruar rishqyrtimin e çështjes nga Gjykata e Lartë.
Vendimi shoqërohet edhe me mendime paralele të disa anëtarëve të gjykatës, të cilët vlerësojnë se në këtë rast masa “Arrest në burg” rezulton joproporcionale, pasi pengon ushtrimin efektiv të detyrës së zgjedhur me votë dhe prek edhe të drejtat e zgjedhësve.
Me këtë zhvillim, çështja rikthehet sërish në Gjykatën e Lartë, e cila duhet të japë një vendim të ri duke adresuar në mënyrë të plotë të gjitha pretendimet kushtetuese të ngritura në rekurs.
and then